Aksioni në veri, Haradinaj: Kurti të sqarohet nëse e bëri për fushatë
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar për situatën e sotme në veri të vendit.
Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit të Kosovës.
Sipas tij, qeveria duhet të sqarohet dhe të hjek çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale.
Njoftimi i plotë:
Askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit të Kosovës. Huliganët dhe banditët duhet të burgosën dhe shteti duhet të jetë i pakompromis ndaj tyre. Secili që sulmon policinë e Kosovës dhe e prish rendin publik, duhet ta marrë dënimin e merituar.
Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve.
Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale.
Në mbështetje të Policisë së Kosovës.
RH