Aktakuzë ndaj dy personave për mashtrim me subvencione në bujqësi
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj S.S. dhe A.F., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”, sipas KPRK-së.
Po ashtu, të pandehurit S.S. dhe S.F., në periudhën 2018-2021, në bashkëkryerje, për qëllime të njëjta, kanë bërë mashtrim me subvencione, duke paraqitur të dhëna të pa sakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes hartimit të dokumentacionit të falsifikuar për plotësim të kritereve dhe poentim sa më të lartë, më konkretisht falsifikimit të kontratave kinse për furnizim të lëndës së parë, ashtu që me të njëjtat kanë aplikuar për përfitimin e grantëve për projektin ”Përpunimi i pemëve dhe perimeve’’ dhe mbi bazën e dokumenteve fiktive kanë arritur ta përfitojnë shumën prej 398,184.00 €.
Ndërsa, gjatë vitit 2020, dy të pandehurit, me veprime të ngjashme kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme grantin në shumën prej 399,996.00€.
Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë, si dhe ka propozuar që të konfiskohet nga të pandehurit dobia pasurore e fituar nga vepra penale, për kompensimin e dëmit të shkaktuar buxhetit të Kosovës.