26-04-2024

Aktakuzë ndaj inspektorit në Prizren për keqpërdorim të pozitës

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër N.M., në cilësi të personit zyrtar si inspektor i ndërtimit në Drejtorinë e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në Kumtesën e Prokurorisë thuhet se  i pandehuri N.M., prej datës 21.11.2016, e në vazhdim, në Prizren, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar si inspektor i ndërtimit në Drejtorinë e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që derisa i njëjti ka pasur përgjegjësi të inspektimit të ndërtimeve në rrugën e “Muhaxherëve”, nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori M.P. Ai duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga organi kompetent komunal – Drejtoria për Urbanizam dhe Planifikim Hapësinor e Komunës së Prizrenit, me ç’rast investitorit M.P., i ka mundësuar ndërtimin e edhe të një kati dhe mospagimin e taksave komunale, ndërsa Komunës së Prizrenit i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri N.M., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.