20-04-2024

Dënohet me 150 euro gjobë i akuzuari në Dragash, pranoi se e goditi të dëmtuarin me shtagë

Aktgjykimin ndaj tij, e ka shpallur gjyqtari i çështjes Bekri Vehapi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është obliguar edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro për ekspertizën mjekoligjore, 30 euro në emër të kompensimit për viktimat e krimit dhe 20 euro për paushallin gjyqësor.

I akuzuari Kolloni, pasi që është njoftuar paraprakisht me të drejtat procedurale dhe rrethanat lehtësuese të pranimit të fajësisë, ka thënë se e ndien veten fajtor për një vepër të tillë penale.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Milot Krasniqi, pasi që siç ka thënë ai, i është bërë me vullnet, pa presion dhe mbështet në provat dhe faktet në të cilat është e bazuar aktakuza.

“Pasi që i pandehuri e ka pranuar fajësinë vullnetarisht në seancën fillestare dhe është treguar i sinqertë para gjykatës, propozoj që kjo rrethanë të vlerësohet në rastin e matjes së dënimit”, ka thënë prokurori Krasniqi.

Në bazë të aktakuzës së ngritur me 19 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Xhezair Kolloni akuzohet se më 20 maj 2019, rreth orës 11:30, në fshatin Kosavë i Dragashit, në livadhet e këtij fshati, i shkakton lëndime të lehta trupore personit tjetër.

Sipas aktakuzës, pas një fjalosje paraprake mes të pandehurit dhe të dëmtuarit Emri Guraj, rreth kullotjes së bagëtive në livadhe, i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarin, duke e goditur me shtagë në kokë dhe pjese të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar atij lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim të lehtë trupor”, e paraparë në nenin 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 e KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

 

Asnjë koment

Comments are closed.