05-05-2024

Aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Prizren, Nijazi Kryeziut

Prokuroria Themelore (PTH) në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në komunikatën për media të PTH-së, thuhet se vepra penale është kryer gjatë vitit 2015.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari N.K., në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e  Prizrenit,  duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij  zyrtare, duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj”, thuhet në komunikatë.

Sipas prokurorisë, vepra është kryer në atë mënyrë që, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, i pandehuri lidh kontratë për emitimin e spoteve reklamuese në sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ashtu që me TV Opinion  vlera totale e kontratës arrin shumën 7,200 euro.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Kryeziu i ka përmbushur elementet e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndryshe një akuzë e ngjashme, tashmë është ngritur edhe ndaj drejtorit aktual për Financa në Prizren, Ertan Simitçi, zyrtarit të këtij resori, Zenel Ahmetaj, si dhe ndaj ish-drejtorit komunal Hasan Hasani. /GazetaePrizrenit.net/

.

 

Asnjë koment

Comments are closed.