02-12-2024

Hartohet plan për zvogëlimin e llogarive të arkëtuara në Prizren

Ekzekutivi lokal i Prizrenit ka raportuar se është duke ndërmarrë masa për uljen e llogarive të arkëtuara, përkatësisht të borxheve që subjektet e ndryshme kanë ndaj Komunës.

Sipas tyre, për këtë çështje pritet të publikohet plani përkatës dhe njëkohësisht të kërkohet mbështetja nga Kuvendi i Komunës, si organi më i lartë vendimmarrës lokal. Zyra Kombëtare e Auditimit kohë më parë ka rekomanduar Komunën që të vendosë politika, rregullore dhe mekanizma të tjerë me qëllim të rritjes së efikasitetit në mbledhjen e të arkëtuarave.

Sipas të dhënave zyrtare, shuma e llogarive të arkëtuara në mbyllje të vitit financiar 2018 ka qenë afër 19 milionë euro, shkruan Koha Ditore.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se shumë operatorë e individë nuk i kanë kryer obligimet që i kanë ndaj Komunës. Sipas tij, në periudhën gjashtëmujore të këtij viti, me qëllim të parandalimit të rritjes së llogarive të arkëtuara është krijuar një ekip, që i analizon këto borxhe.

“Kemi filluar me ndërmarrë masa specifike për mënyrën se si me i ulë llogaritë e arkëtueshme. Së shpejti do ta publikojmë planin se si mendojmë që të ndikojmë në zvogëlimin e trendit të borxheve ndaj Komunës”, ka thënë Haskuka, ditë më parë, duke raportuar para qytetarëve për punën e Ekzekutivit në pjesën e parë të këtij viti. Sipas tij, ky plan do të prezantohet edhe para këshilltarëve të KK-së. “Këtë plan do ta paraqesim besoj në takimin e radhës së KK-së”, ka deklaruar Haskuka

Asnjë koment

Comments are closed.