Aktorja Safete Rogova kujton angazhimin në Has për shkollimin e vajzave në vitet ‘90-ta (VIDEO)
Disa artiste kanë kujtuar rezistencën gjatë viteve të ‘90-ta në Kosovë.
Aktorja Safete Rogova, nën emocione, rrëfen për ditën kur ishte ndaluar nga forcat serbe teksa po shkonte drejt fshatrave te Hasit të Prizrenit për të shpërndarë libra.
Galeria Kombëtare e Kosovës, në bashkëpunim me British Council, në kuadër të ekspozitës “Perceptimet: BURRNESHAT”, kanë mbajtur një debat për të pasqyruar rolin e grave artiste gjatë rezistencës kosovare gjatë viteve ’90’.
Me këtë rast u çmua lart roli i këtyre grave gjatë kësaj periudhe të vështirë për shtetin tonë në edukimin dhe nxitjen e të drejtave të vajzave dhe grave.
Drejtoresha e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, u shpreh se në kuadër të shoqatës “Motrat Qiriazi” ato qysh në vitet ‘90-ta janë angazhuar që të punojnë dhe të kenë prioritet zhvillimin e të drejtave të vajzave dhe grave.
Motra e Igballës, Safete Rogova tha se shoqata “Motrat Qiriazi” qysh në vitet e ‘90-ta kishin prioritet shkollimin e vajzave dhe angazhimin në rritjen e të drejtave të tyre.
“Atë kohë ishte shumë e nevojshme sepse shkollimi i vajzave ishte shumë i vështirë, kështu që qëllimin kryesor e kemi pasur shkollimin e vajzave në fshatrat e Hasit. Aty e kemi gjetur përkrahjen më të madhe prej grave dhe aktivisteve”, tha ajo.
Mes tjerash, Rogova tregoi se qysh në atë kohë ka bërë një shfaqje për jetën e vështirë të grave nga Hasi, që siç thotë ajo t’i stimulojë për angazhim më të mirë të drejtave të tyre, derisa vlerësoi veshjen e Hasit ndër më bukurat në trevat shqiptare.
Artistja tjetër, tashmë profesoresha në Fakultetin e Arteve, Zake Prelvukaj tha se dhe shkollimi në vitet e ’90-ta ishte shumë i vështirë, ajo tregoi për ligjëratat e saja në atë kohë për studentët.