08-05-2024

Akuzohet se shiti një veturën me ndalesë për shitje, Gjykata urdhëron sjelljen me detyrim

Për shkak se i akuzuari për dëmtim të të drejtave pronësore të personit tjetër, Arsim Lumi, ka munguar në seancën e së hënës dhe mungesën nuk e ka arsyetuar, për atë të radhës ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka munguar edhe i dëmtuari Salih Pirku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë të fundit, gjykatësi Lavdim Bajraktari tha se ka qenë i ftuar përmes urdhëresës për sjellje me detyrim, mirëpo urdhëresa nuk është ekzekutuar. Ndërkaq, gjykatësi tha se i akuzuari ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt nga procesverbali i seancës së kaluar.

Megjithatë, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e saj, gjykatësi Bajraktari ka shtyrë seancën për 30 shtator 2021, për të cilën nga Stacioni Policor në Suharekë ka kërkuar që të akuzuarin Lumi dhe të dëmtuarin Pirku t’i shoqërojë me forcë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i akuzuari Arsim Lumi nga 20 prilli 2017 e deri më 21 nëntor 2018, me qëllim që të pengojë pagesën e borxhit kreditorit, gjatë ekzekutimit të detyrueshëm tjetërson asgjëson ose fsheh pjesë të pasurisë dhe me këtë dëmton kreditorin-të dëmtuarin Salih Pirku.

Sipas aktit akuzues, duke mos mundur që ta regjistrojë automjetin e tij, i njëjti e tjetërson- shet automjetin e markës “Daimler Chrysler”, për të cilin automjet kishte të vendosur ndalesën për regjistrim, përkatësisht për mos-shitje dhe tjetërsim nga Ministria e Punëve të Brendshme- Drejtoria për Regjistrimin e Automjeteve, me ç’rast të dëmtuarit Salih Pirku, i shkakton dëm material.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër” nga neni 344, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.