Ambasada e Kosovës në Gjermani njofton shtetasit se si të veprojnë në rast se u skadon viza
Ambasada kosovare në Berlin, ka njoftuar të premten, se shtetasit e Kosovës që janë në Gjermani me vizë Schengen apo të llojeve tjera dhe ndërkohë u ka skaduar afati, nuk kanë nevojë të paraqiten në ambasadë apo në konsullatat në Berlin, Munih, Shtutgart, Frankfurt, Duseldorf, Hamburg.
“Bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, shtetasit e Kosovës që janë në Gjermani dhe u ka skaduar apo skadon viza, duhet të lajmërohen përmes e-mailit, telefonit apo edhe personalisht në Zyrat Vendore ku janë të lajmëruar në Gjermani dhe aty të bëjnë kërkesën për vazhdimin e vizës, e cila si pasojë e Covid-19, do t’iu vazhdohet nga autoritetet vendore gjermane. Nëse këto zyra vendore gjermane janë të mbyllura – nuk punojnë me palë, kërkesa duhet të bëhet me e- mail”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Po ashtu, Ambasada ka ftuar shtetasit që të kenë durim sa i përket kthimit të organizuar në Kosovë.
“Të gjithë shtetasit e regjistruar për kthim në Kosovë i lusim mirësisht të mos thërrasin dhe lajmërohen disa herë për të njëjtën kërkesë. Listat azhurnohen rregullisht dhe përcillen në Prishtinë prej ku edhe bëhet kthimi i organizuar”, thuhet në postimin e bërë në Facebook.