24-11-2024

Ambasadori Kosnett pas ankesave për certifikim: Të respektohen gjykatat, të mos thuhet na pëlqen ose s’na pëlqen ky vendim

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve që nuk janë certifikuar që të respektojnë vendimet e gjyqësorit.

Në një intervistë për Politiko në Kanal10, Kosnett ka thënë se nuk duhet të thuhet se “na pëlqen ky vendim, nuk na pëlqen ky vendim”, pasi që siç thotë kryediplomati amerikan ekziston mundësia e ankesës dhe ka një proces ligjor.

“Komenti im për këtë është se mendoj për të gjithë ata që nuk janë certifikuar, të gjithë kandidatët potencialë që nuk janë certifikuar, ekziston procesi i ankesës. Ka proces gjyqësor dhe duhet ta respektojmë atë. Ambasada, qeveria ime shpesh ka marrë qëndrimin që është e domosdoshme, është e rëndësishme të respektohet sistemi gjyqësor, të respektohen gjykatat. Të mos thuhet: na pëlqen ky vendim, nuk na pëlqen ky vendim. Pra, në këtë fushë ekziston procesi i ankesës, ka proces ligjor”, ka thënë Kosnett.

Duke komentuar denoncimin publik të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, Kosnett ka thënë se ajo është e aftë të argumentojë rastin në publik.

“Mendoj se kryesuesja Daka nuk ka nevojë që të flas në emrin e saj e as z. Kurti nuk ka nevojë që të flas në emrin e tij. Mendoj se këta njerëz janë mjaft të aftë për të argumentuar rastin e tyre në publik para popullit të Kosovës sepse kjo është audienca më e rëndësishme.”, ka thënë Kosnett.

Asnjë koment

Comments are closed.