12-12-2024

Anëtari boshnjak dhe kroat i Presidencës së BeH-së takojnë Kurtin: S’e pyesim Dodik-un me kë takohemi

Komshiq dhe Beçiroviq kanë takuar Kurtin në zyrat e tyre në Presidencën tripalëshe të Bosnjë e Hercegovinës (boshnjake, serbe dhe kroate), ku edhe ia kanë bërë të qartë Dodik-ut se në asnjë rrethanë nuk mundet ai që të përcaktojë se kush hyn në BeH dhe as t’u tregojë anëtarëve të Presidencës së BeH-së se me kë takohen.
Zheljko Komshiq, anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës – etniteti kroat – dhe Denis Beçiroviq, po ashtu anëtar i Presidencës tripalëshe të BeH-së – etniteti boshnjak– kanë takuar të premten kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, derisa iu kanë përgjigjur presidentit ultranacionalist të Republikës Srpskas – etniteti serb në BeH – Millorad Dodik, se nuk do ta pyesin atë se me kë të takohen dhe çfarë të diskutojnë.

Kurti është duke qëndruar në BeH që nga e enjtja, ku do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare asociacioni i intelektualëve të pavarur “Krug 99” në Sarajavë.

Kjo vizitë ka nxitur zemërimin e autoriteteve serbe në Banja Llukë. Dodik, deklaroi se Kurti nuk është i mirëpritur në këtë vend, duke pretenduar se vizita e kreut të ekzekutivit kosovar në Sarajevë është “provokim i hapur” ndaj të cilit Republika Srpska “s’do të heshtë”.

Duke iu kundërpërgjigjur këtyre kritikave që erdhën nga Dodiku dhe disa vende të rajonit, në këtë rast Serbia, Komshiq kujtoi se Republika Srpska nuk është subjekt i së Drejtës ndërkombëtare dhe se e njëjta nuk është kompetent për lëshimin e vizave të hyrjes në BeH.

Përveç kësaj, Komshiq ka bërë të qartë se nuk do ta pyesin Dodik-un apo dikë tjetër me kë do të takohen dhe çfarë do të diskutojnë.

“Ne i perceptojmë kritikat që vijnë nga vendet e rajonit si një tjetër provë evidente të përpjekjeve për të mohuar sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe presion ndaj organeve dhe institucioneve sovrane të Bosnjë e Hercegovinës në drejtimin e politikës së jashtme”, ka thënë Komshiq, derisa ka treguar se me Kurtin diskutuan për proceset e përgjithshme politike dhe sociale në rajon.

Anëtari kroat i presidencës së BeH-së ka falënderuar Kurtin për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e BeH-së, duke theksuar se vlerësojmë një veprim kaq të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe për rrjedhojë të pazakontë të kryeministrit kosovar, pasi që BeH nuk e ka bërë të njëjtën me Kosovën – kjo për shkak të vetos që përdor Republika Srpska.

Në njoftimin për takimin mes Kurtit dher anëtarit boshnjak të Presidencës së BeH-së Beçiroviq, thuhet se ata kanë thënë deklaruar se të gjithë në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Beçiroviç ka potencuar se disa politikanë nga Bosnjë e  Hercegovina, duke iu referuar atyre të Republikës Srpska, duhet të ndalen me propagandën “goebbelsian” (propaganda e nazizmit gjerman).

“Sot nuk po diskutojmë për njohjen e Kosovës, sepse për të gjithë është e qartë se një vendim i tillë kërkon konsensus në Presidencën e BeH. Njerëzit përgjegjës duhet të insistojnë gjithmonë në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por edhe në diskutime konstruktive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga procesi i Berlinit”, tha Beçiroviq.

Ai ka theksuar se nuk do të lejojnë askënd që të mendojë se ata “mund të disiplinojnë udhëheqësit e shtetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe t’u diktojnë atyre se kush, ku dhe kur mund të flasin”.

“Le ta harrojnë atë përgjithmonë”, është deklaruar i prerë Beçiroviq.

 

Asnjë koment

Comments are closed.