23-11-2024

Angli-Tunizi, shfaqen hijet e huliganizmit

Vetëm dy vite kanë kaluar nga ngjarjet e shëmtuara të “Euro 2016”, që patën si protagonistë tifozët anglezë dhe ata rusë.

Në atë kohë, porti i Marsejës u kthye në një shesh të vërtetë beteje, nga dhuna e shfaqur nga këto dy tifozeri, luftë që regjistroi 31 të plagosur, njëri nga të cilët në gjendje të rëndë.

Hija e kësaj ngjarjeje ka rënë mbi Rusinë, ku sot Anglia do të luajë ndeshjen e saj të parë të Botërorit 2018 ndaj Tunizisë.

Ardhja e tifozëve të shumtë anglezë ka vënë në lëvizje autoritetet ruse për të forcuar sigurinë. Në muajt e fundit janë publikuar shpesh video të tifozëve të dhunshëm të klubeve të ndryshme ruse, duke kryer stërvitje paraushtarake.

Videoja më e fundit e publikuar tregonte tifozët e Spartakut të Moskës teksa kryenin përgatitjet e tyre në një pyll, e që u titullua “Në pritje të ardhjes së anglezëve”.

Mendohet se sot do të jenë mbi 10 mijë tifozë, të cilët kanë marrë rekomandime për të mos kryer asnjë veprim provokues dhe të mos hyjnë në asnjë lloj konflikti me tifozët rusë, rekomandime që duket se janë marrë parasysh.

Aspekti më kurioz i kësaj historie është se ndeshja do të zhvilohet në Volgograd, emri i vjetër i të cilit është Stalingrad, aty ku u zhvillua një prej betejave më mizore të Luftës së Dytë Botërore. Qyteti i Stalinit është plot kujtime betejash mes Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik dhe asaj të Gjermanisë naziste, një përballje që zgjati 6 muaj dhe që shkaktoi gati dy milionë viktima.

Tifozët angleze dhe ata tunizianë përfituan hga rasti për të vizituar këtë qytet. Siguria ekziston, por nuk është aq e dukshme sa në Moskë. Kërcënimi i tifozëve “ultras” vjen me anglezët dhe në një qytet ku është shkruar historia./top-channel/

 

Asnjë koment

Comments are closed.