19-04-2024

AP: Ukshin Hoti kthehet në Kosovë

Albanian Post, nga burimet brenda Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, merr vesh se tashmë është arritur akordim që eshtrat e intelektualit dhe ish-profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe filozofisë në Universitetin e Prishtinës, të kthehen në Kosovë.

Bashkë me mbetjet e Hotit, i cili mungon qe 22 vjet, prejse herën e fundit u pa nga shokët e tij të qelisë me 16 maj të vitit 1999, do të kthehen edhe eshtrat e gjashtë të zhdukurve të tjerë.

Emrat e personave, mbetjet e të cilëve kthehen bashkë me ato të Hotit, do të bëhen të ditur shpejt nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, organizata e cila është marrë me organizimin e kthimit, njofton burimi për Albanian Post.

Pas kësaj edhe do të vazhdojnë bisedimet në dialogun e Brukselit, meqë situata në veri pritet të stabilizohet me ndërhyrjen e trupave të KFOR-it atje.

Janë identifikuar gjithashtu edhe ekzekutuesit e Hotit, bëjnë me dije për AP-në.

Albanian Post kupton që organet në Serbi prej kohësh kanë provuar që të vihen në kontakt me njerëz në Kosovë për të gjetur një modalitet që mbetjet e kufomave, përfshirë ato të Ukshin Hotit, të kthehen, por të mos u dorëzohen institucioneve në Prishtinë.

Ideja ishte që fillimisht t’i dorëzohen dikujt tjetër dhe jo direkt Qeverisë së Kosovës.

Diçka e tillë nuk është arritur dhe tashmë është çështje kohe kur edhe mbetjet vijnë për varrosje me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta.

Ky kthim, i shumë kërkuar në Kosovë, po ndodhë pas më shumë se 22 vjetësh, prejse Hoti, një ditë maji, u zhduk dhe nuk u pa më.PS

Asnjë koment

Comments are closed.