23-11-2024

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj serbit Tasiq, të akuzuar për krime në Krushë të Vogël

Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.

Kështu, Apeli ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit, kundër aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë, me të cilin aktvendim ishin refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të të akuzuarit.

Gjykata e Apelit e Kosovë, vlerëson se Gjykata e shkallës së parë, ka vepruar drejt kur i ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të pandehurve për hedhjen e aktakuzës si të pabazuar, në bazë të nenit 249 par.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, meqenëse  nuk paraqiten asnjë nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4  të  këtij kodi.

Po ashtu Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e të pandehurit kundër aktvendimit mbi vazhdimin e masës së paraburgimit për dy muaj, të datës 26.06.2018.

Darko Tasiq, i cili akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël, më 14 maj të këtij viti, gjatë shqyrtimit fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, nuk e kishte pranuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohet.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv./betimiperdrejtesi/

 

Asnjë koment

Comments are closed.