Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj
Së bashku me Berishën dhe Hajdarin, në këtë rast për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, po akuzohet edhe ish-Kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, mbrojtja e këtij të fundit nuk ishte ankuar fare në Apel kundër vendimit të shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në aktvendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se pretendimet ankimore të mbrojtësve të të akuzuarve, avokatit Brahim Sopa që mbron të akuzuarin Berisha si dhe avokatit, Blerim Bajrami që mbron të akuzuari Hajdari, nuk janë të bazuara pasi që, sipas Apelit, shkalla e parë në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, me aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsyet lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejtë ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe të pranueshme në aspektin ligjore procedurale, duke u bazuar në provat që gjendjen në shkresat e lëndës”, thuhet në aktvendimin e Apelit.
Sa i përket ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, sipas Apelit këto thënie nuk përmbajnë asgjë konkrete përveç atakimit të aktakuzës në mënyrë të përgjithshme.
Ndryshe, gjykimi ndaj Asllanajt dhe dy të tjerëve do të fillojë më 27 shkurt.
Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar mbrojtësi i Asllanajt, avokati Sehad Haliti.
“Unë nuk kam bo ankesë se kom deshtë mu kry ma shpejt kjo punë. Ftesa për gjykim më ka ardh për 27 shkurt”, tha Haliti.
Ish-kryetari Asllanaj dhe dy të akuzuarit e tjerë në këtë rast, ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sherif Berisha, si dhe drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari, kishin kundërshtuar aktakuzën ndaj tyre, duke e konsideruar atë si të pabazë
Ish-kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanajn në nëntor të viti të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në seancën fillestare, në Gjykatën Themelore në Prizren.
Të pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë në këtë rast, ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sherif Berisha, si dhe drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, Asllanaj, Berisha dhe Hajdari, secili veç e veç, kishin deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohen.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 22 tetor 2018, i pandehuri Sali Asllanaj dyshohet se prej 1 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar, kryetar i Komunës së Suharekës, se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, Asllanaj, si kryetar i Komunës së Suharekës, pa procedurë të tenderimit, nënshkruan marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, Sherif Berisha, akuzohet se prej 16 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, duke keqpërdorur detyrat e tij zyrtare, lejon që drejtori i shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Suharekës, Milazim Hajdari, të lëshojë raporte për bartjen e nxënësve në periudhën nga 16 shtator deri më 27 nëntor, operatorit ekonomik “Saba Tours”, gjoja se ky operator ka kryer shërbimin e transportit të nxënësve.
Në aktakuzë, thuhet se i njëjti në periudhën e njëjtë kohore, ka lëshuar edhe tri raporte operatorit “Shqiproni Tours”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën e 6572 euro, ngase kjo shumë i ishte paguar operatorit “Saba Group” për shërbimin që nuk e kishte kryer.
Po ashtu, sipas aktakuzës, Berisha, i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 4000 euro, ngase si përgjegjës për menaxhimin e projektit, nuk i kishte kërkuar mjetet të cilat nuk ishin shpenzuar nga pjesa e investimeve të përgjithshme marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope”.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, i akuzuari, Milazim Hajdari, në cilësi të drejtorit të shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Komunës së Suharekës, akuzohet se i tejkalon kompetencat e tija me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, si dhe duke përpiluar raporte për bartjen e nxënësve operatorëve të ndryshëm, me anë të së cilës shkel ligjin mbi detyrat e tij.
Sipas organit të akuzës, dëmin që ia shkakton buxhetit të Republikës së Kosovës, kap vlerën e 6572 euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi