25-04-2024

Apeli konfirmon hudhjen e aktakuzës ndaj kryetarit të Malishevës, Begajt

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, të 3 prillit 2018.

Me anë të këtij aktvendimi, Gjykata Themelore e ka hudhur poshtë aktakuzën e prokurorisë dhe e ka pushuar procedurën penale, ndaj të pandehurit Ragip Begaj, për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nëparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Vepër të cilën dyshohet ta ketë kryer në cilësi të kryetarit të Komunës së Malishevës.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të prokurorisë, nuk janë të bazuara, ngase gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe se arsyet e dhëna për mungesën e provave i aprovon edhe kjo gjykatë.

Gjykata Themelore në Gjakovë në prill të këtij viti kishte hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), me të cilën kryetari i Komunës së Malishevës. Në aktvendimin e rastit, që e kishte  siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhej se aktakuza hudhet poshtë pasi që nuk ka prova që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Tutje, në aktvendim thuhej se veprimet e të akuzuarit në suspendimin e zyrtarëve të prokurimit në Komunën e Malishevës dhe lidhjen e kontratës së përkohshme me Labinot Mazrekun, nuk përbëjnë vepër penale sepse nuk ka dashje, përfitim apo dëm të shkaktuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 29 dhjetor 2017, Ragip Begaj, akuzohet se duke qenë kryetar i Komunës së Malishevës, ka angazhuar Labinot Mazrekun, në  cilësinë e menaxherit të prokurimit për rreth shtatë muaj, megjithëse komuna kishte të punësuar një menaxher të tillë të prokurimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Begaj edhe pse ka kuptuar se në zyrën e menaxherit të prokurimit, Haxhi Krasniqit, ka pas keqpërdorime, respektivisht ka humbur dosja e operatorit ekonomik “SHPK Albakos & NNSH Korben”, Pejë-Gjakovë, i cili operator kishte parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), si palë e pakënaqur dhe ankesa i ishte aprovuar nga ky organ.Sipas vendimit të OSHP-së, të datës 11 gusht 2014, vendimi i autoritetit kontraktues është anuluar si i pabazë dhe është urdhëruar ky autoritet ta kthej lëndën në ri-tenderim, si dhe ka obliguar Komunën e Malishevës që të merr në përgjegjësi personat përgjegjës për humbjen e ofertës.

Në aktakuzë shkruan se i pandehuri pas pranimit të vendimit, në procedurë të shpejtuar ka pezulluar të gjithë zyrtarët e prokurimit nga puna me 50 % të pagës prej 14 gushtit 2014 edhe pse dosja ishte zbuluar në zyrën e menaxherit të prokurimit, vetëm dy ditë pas pranimit të vendimit nga OSHP./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.