25-04-2024

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-Kryesuesit të KK të Prizrenit, Kujtim Gashit

Ish-kryetari i Kuvendit Komunal në Prizren, Kujtim Gashi, është liruar përfundimisht nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kjo pasi që Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prizren, të shpallur më 23 dhjetor të vitit 2020.

Në aktgjykimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se sipas vlerësimit të kësaj gjykate, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prizren, se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi i njëjti është i qartë dhe konkret, përmban arsye të mjaftueshme për të gjitha faktet relevante në këtë çështje penalo-juridike.

Sipas gjykatës së shkallës së dytë, Gjykata Themelore në Prizren në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar të gjitha faktet vendimtare në këtë rast.

“Gjykata e Apelit vëren se ky pretendim nuk qëndron nga se në arsyet e dhëna të aktgjykimit të ankimuar, në faqen 5 dhe 6 rrjedhë përshkrimi i provave që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor, ndërsa në faqen 7, pasuesi 3 dhe pastaj në faqen 8 dhe 9, ku ka arsyetuar vlerësimin e provave që janë administruar dhe se mbi cilat shkaqe ka ardhur në përfundim që ka marrë aktgjykim lirues”, thuhet në vendim.

Sipas Apelit, nuk qëndron as pretendimi ankimor se gjykata e shkallës së parë nuk ka arsyetuar faktekt dhe provat me rastin e mos vërtetimit te ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale, sa i përket këtij pretendimi, Apeli, ka rikujtuar se neni 370 par.7 detyron gjykatën që: “duhet të arsyetoj veçanërisht me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale por edhe përgjegjësinë penale të të akuzuarit”, dhe jo siç thekson prokuroria që gjykata duhet të vërtetoj me fakte dhe prova kur rezulton aktgjykimi lirues, përkundër këtij pretendimi, kjo Gjykatë ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme kur ka konstatuar se nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale.

Ndërsa në lidhje me pretendimet prokurorisë për sa i përket konkluzioneve të gjykatës se nuk është provuar dashja e të akuzuarit për kryerjen e veprës penale, kjo Gjykatë pretendimin e tillë e gjen të pabazuar raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dashja si element i veprës penale duhet të rezultoi nga rrethanat faktike dhe të provohet me prova, rrethanat e tilla për të konkluduar se ka ekzistuar dashja për kryerjen e veprës penale. Në rastin konkret gjykata e Apelit ka parasysh tri rrethana që edhe për këtë Gjykatë rezultojnë se nuk mund të vërtetohet ekzistimi i dashjes së të akuzuarit për kryer veprën penale”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë.

Sipas Gjykatës së Apelit, i akuzuari si Kryetari i Kuvendit Komunal në Prizren, kishte detyrim ligjor për të bërë transparencën e mbledhjeve të kuvendit komunal, në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale neni 68 par 4 dhe Statuti i Komunës së Prizrenit neni 90, po ashtu sipas Apelit, pretendimet e prokurorisë se duke lidhur kontratat e tilla me televizionet i akuzuari kishte autorizuar pagesat gjithsej prej 8,450 euro, me qëllim të përfitimit të dobisë për personat e tjerë nuk qëndron, pasi që nga shkresat e lëndës nuk rezulton se personat tjerë- televizionet si person juridik nuk kishin përmbushur detyrimet e tilla.

“Kjo Gjykatë vlerëson se arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë kur ka konstatuar se prokuroria me asnjë provë nuk ka provuar se i akuzuari me veprimet e veta ka mundësuar përfitim të çfarëdo dobie pasurore kjo për faktin se përderisa televizionet kishin transmetuar seancat e kuvendit komunal tërësia e shumës së pagesave që iu ishte bërë nuk mund të konsiderohet përfitim i dobisë pasurore, ndërsa në anën tjetër qëndron konstatimi i gjykatës së shkallës së parë se Prokuroria vërtet nuk kishte bërë asnjëlloj diferencimi të vlerës së pretenduar se personat tjerë kishin përfituar” thuhet në vendim.

Tutje në vendimin e gjykatës së Apelit thuhet se edhe nga vetë dëshmia e dëshmitarit ku thekson se i akuzuari ka kërkuar që të ndërpriten kontratat e tillë pasi që Auditimi ka konstatuar se duhet të lidhur kontratë përmes procedurës së prokurimit, sipas gjykatës së Apelit vërteton mungesën e dashjes se i akuzuari ka kryer veprën penale që i është vënë në barrë.

Po ashtu Gjykata e Apelit vlerëson se nuk ka dëm të shkaktuar nga ana të akuzuarit Kujtim Gashi.

“Për më tepër prokuroria në aktakuzë nuk ka pretenduar se është shkaktua dëm por vetëm se është shkaktuar përfitim, ndërsa nga shkresat e lëndës nuk rrjedh se Komuna e Prizrenit të ketë pretenduar që i është shkaktuar dëm, prandaj kjo gjykatë vlerëson se është i drejtë dhe i ligjshëm aktgjykimi i shkallës së parë kur ka konstatuar se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale”, thuhet në aktgjykim.

Ndërsa lidhur me ankesën e përfaqësuesit të të dëmtuarës-Komunës së Prizrenit, avokatit Blerim Mazreku, gjykata e Apelit e ka hudhur të njëjtën si të pa lejuar.

Hudhja e ankesës së përfaqësuesit të të dëmtuarës, avokatit Mazreku, sipas apelit është bërë në bazë të nenit 400 të KPP-së ku thuhet se: “Gjykata e Apelit me aktvendim e hudh ankesën si të palejueshme kur konstaton se është paraqitur nga personi pa të drejtë”, po ashtu kjo gjykatë është thirrur në nenin 381 par 3 të KPP-së ku thuhet se: “I dëmtuari mund të ushtroj ankesë ndaj aktgjykimit vetëm për vendimin e gjykatës lidhur me sanksionin penal për veprën penale kundër jetës dhe trupit, kundër integritetit seksual, kundër sigurisë së trafikut publik dhe për shpenzimet e procedurës penale”.

Sipas Apelit, bazat e pretenduara ankimore nuk i njihen të dëmtuarit sipas Kodit të procedurës penal për të parashtruar ankesë për shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, për më tepër kur kemi të bëjmë me institucionet publike.

Tutje në vendimin e Apelit thuhet se gjykata ka parasysh se mbrojtja pretendon se seanca e shqyrtimit gjyqësor është mbajtur pa u thirrur përfaqësuesi i të dëmtuarës dhe ka parasysh dispozitën  e nenit 287 ku theksohet se: “gjykata duhet të thirr të dëmtuarin në seancën e shqyrtimit gjyqësor”, mirëpo sipas apelit nenet 306, 307 dhe 308 që përcaktojnë parakushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor dhe rrjedhimisht mungesa e prokurorit, të akuzuarit dhe mbrojtësit të të akuzuarit bie në shkelje e dispozitave procedurale nga neni 384 par nënpar 1.3, të KPP-së, megjithatë dispozitat e kodit të procedurës penale nuk e përcaktojnë si shkelje procedurale mungesën e të dëmtuarit.

Andaj, sipas Apelit pretendimet e mbrojtjes rrjedhimisht bien në shkeljen të dispozitave procedurale me karakter relativ e që sipas tyre kjo nuk e bënë aktgjykimin të paqëndrueshëm.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 17 dhjetor 2019, Kujtim Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

 

Sipas aktakuzës, Kujtim Gashi, gjatë 2015-tës e deri në tetor 2016, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, “TV Besa” dhe “TV Opinion”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren.

Sipas aktakuzës, Gashi, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Besa”, në vlerë prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa pagesat për këto shërbime janë autorizuar gjatë vitit 2016 në shumën prej 1,750 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se ai po ashtu, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Opinion”, në vlerë prej 400 euro, për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren, ku pagesat sipas aktakuzës janë transferuar gjatë viteve 2015-2016 në shumën prej 6700 euro.

Ndërsa sipas aktit akuzues, vlera e përgjithshme që Gashi ka autorizuar për këto dy televizione është 8450 euro./Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.