Shefja e zyrës së BE-së Natalya Apostolova është takuar sot në Prizren me kryetarin e komunës Mytaher Haskuka.
Apostolova është shprehur e kënaqur me punën që është duke kryer kryetari Haskuka në sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Është kënaqësi të jem në Prizren sot, qytetin e Dokufestit, qytet që është shembull i mirë i multietnicitetit në Kosovë dhe rajon, dhe qytet me potenciale të bukurisë dhe turizmit. Isha dje në rajon, në malin e Sharrit dhe isha e mahnitur me bukurinë dhe potencialin e turizmit që ka ky rajon. Sapo takova kryetarin e komunës me të cilin patëm diskutime të mira dhe kam kuptuar sfidat dhe përgjegjësitë e tij për punën që ka.
Kemi folur për disa tema për të pasur bashkëpunim dhe kemi parë mundësitë për të bashkëpunuar më shumë në Prizren dhe rajon. Jam e kënaqur me përkushtimin e kryetarit për të respektuar sundimin e ligjit në Prizren dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, pasi kjo është vlerë bazike dhe e fuqishme evropiane”, tha Apostolova.
Ajo ka përkujtuar se BE ka investuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e saj përmes projekteve të ndryshme, duke mbështetur zhvillimet pozitive për Prizrenin, ndërsa tha se ka nevojë për progres.
Kryetari i komunës së Prizrenit tha se ndihet mirë që sot përfaqësues të BE-së po e vizitojnë këtë komunë pasi që sipas tij është krijuar një vakuum 6 vjeçar i një mos bashkëpunimi në mes të komunës dhe Bashkimit Evropian që është në Kosovë.
Mysafires së BE-së Haskuka tha se i ka treguar për pikat e qeverisjes së tij që sipas tij përputhen me prioritetet e BE-së siç janë një komunë e hapur dhe transparente ku siç tha ai edhe shoqëria civile është pjesë e vendimmarrjes.
Para Apostolovës, Haskuka tregoi se në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave do të marrin pjesë edhe shoqëria civile, mediat dhe sindikata.
“Ka qenë një takim pune shumë i mirë ku diskutuam për shumë tema të ndryshme që prekin komunën e Prizrenit dhe probleme që i ka komuna, biseduam se si t’i tejkalojmë ato bashkërisht por edhe për projekte të ndryshme në të ardhmen, të cilat mund të bëhen bashkë me Bashkimin Evropian”, tha Haskuka.
Ai ka përmendur nënshkrimin që është bërë sot për Qendrën Historike të Prizrenit si dhe nevojën për ndërtimin e një shkolle të re e që pret përkrahjen edhe të BE-së për ta ndërtuar atë./Telegrafi/