Psikologët fillojnë trajtimin në shkollën e mjekësisë, ku ndodhen vetëvrasjet

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka konfirmuar për portalin “Gazeta e Prizrenit” se dy psikologë me eksperiencë janë dërguar në shkollën e mjekësisë në Prizren, për të trajtuar traumat tek, nxënësit e  klasës ku bënin pjesë dy vajzat,  të cilat javën e kaluar bënë vetëvrasje në formë të njëjtë.

“Ata do të intervistojnë nxënësit dhe do të kontaktojnë edhe prindërit, jo vetëm për të trajtuar çështjet por parandaluar diçka më të keqe”, tha ai derisa sqaroi se në rast të nevojës do të trajtohen edhe nxënës të tjerë të kësaj shkolle.

Haskuka tha se është rekomanduar që nxënësit e klasës së vajzave viktima ta përfundojnë vitin shkollor, para afatit.

Sipas tij, po planifikohet që në të ardhmen të hartohet një rregullore, që në rast të ndodhive të ngjashme, të veprohet menjëherë nga shkollat dhe drejtoria e arsimit.

Kryetari po ashtu ka folur edhe për nevojën e sigurimit të objekteve banesore, të cilat janë në ndërtim, në të cilin ndodhi rasti i fundit i vetëvrasjes së nxënëses së mjekësisë.

Në kontekstin e shmangies së rasteve të tilla, por edhe të dukurive të tjera, Haskuka ka thënë se duhet që në klasa të mos lejohet numër më i madh i nxënësve, se sa 28, pasi kjo ia pamundëson kujdestarëve t’i vërejnë karakteristikat apo edhe problemet e nxënësve.

Sipas tij, po ashtu nëpër shkolla nuk duhet të regjistrohen ata që nuk e meritojnë këtë përmes konkurseve.