Arben Veselaj boton librin për botën arbëreshe
Nën siglën e botuesit nga Prishtina “Armagedoni” sapo është botuar libri “Triptikon arbëresh (historikja, estetikja, ikonikja)”, nga gazetari dhe studiuesi i letërsisë, Arben Veselaj.
Më shumë se një reportazh nga katundet arbëreshe të Kalabrisë ky libër është një “flashback” në disa faqe të historisë së letërsisë shqipe. As krejt reportazh, as udhëpërshkrim i plotë, as rrëfim i pastër – libri i Veselajt mund të konsiderohet po ashtu edhe një “short history” për botën arbëreshe.
“Triptikon arbëresh” është rezultat i një vizitë pune që autori ka realizuar vitin e kaluar në Kalabri të Italisë në gjurmim të gjenezës së letërsisë shqipe. Brenda disa kapitujve ky libër përqas sfondin historik (kombëtar), estetik (letrar) dhe ikonik (kishtar) të botës arbëreshe. Në disa kapituj ku shqyrtohet dialektika historike e letërsisë shqipe, autori sjell një interpretim johistoricist për disa autorë dhe vepra të letërsisë arbëreshe.
Para këtij libri Veselaj e ka trajtuar çështjen arbëreshe edhe në disa shkrime të tjera në shtypin e Tiranës dhe të Prishtinës: “Rrini mirë, arbëreshë!”, “De Rada – një pamje johistriciste”, “Skiroi, autori ikonoklast” etj.
Arben Veselaj është gazetar dhe autor disa librave letrarë. Ka mbaruar studimet themelore dhe ato postdiplomike për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Në periodikët letrarë dhe shkencorë shqiptarë ka publikuar kryesisht kritikë dhe studime letrare. Disa nga tregimet dhe esetë e tij janë përfshirë nëpër antologji të ndryshme.
Në vitin 2001 botoi librin me poezi “Shpërrallosje”, kurse në vitin 2017 studimin “Tema kadareane”. Më 2017 u laureua nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës me Çmimin Vjetor për Letërsi, në zhanrin e kritikës dhe eseistikes.