Arrest shtëpiak të pandehurit për kanosje të zyrtarit policor si dëshmitar në gjykatën e Suharkës
Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, i ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak Agron Kicajt, ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Prizren ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale “kanosje”.
Kicaj do të qëndrojë në arrest shtëpiak për një muaj, ku është llogaritur edhe koha e kaluar në ndalim të stacionit policor në Suharekë, nga 20 shkurti, prej orës 12:10, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, prokurori Atnor Skoro ka mbetur në tërësi pranë propozimit me shkrim për caktimin e masës së paraburgimit, duke konsideruar se për një masë të tillë ekzistojnë kushtet e parapara me ligj.
Sipas prokurorit, hetimet në këtë çështje penale janë në fazën fillestare dhe se me caktimin e masës së sigurisë duhet pasur parasysh peshën e veprës penale, e cila tha se është bërë ndaj personit zyrtar të policisë, që merret me mbrojtjen e rendit dhe qetësisë, e që sipas tij, në seancën gjyqësore kur ka ndodhur rasti ai ka qenë i ftuar në cilësinë e dëshmitarit.
Prokurori Skoro deklaroi se me lënien Agron Kicajt në liri, ekziston mundësia e përfundimit të kësaj vepre penale.
Përfaqësuesi i Kicajt, avokati Shaqir Sedolli, kundërshtoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimi. me arsyetimin se një masë e tillë është shumë e rëndë, duke shtuar se klienti i tij nuk mund të fshehë, ndryshojë, apo falsifikojë provat dhe as të ndikojë në dëshmitar.
Avokati Sedolli deklaroi se Kicaj është penduar për fjalët që i ka thënë në gjendje të afektit mendor, dhe se shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me organin ndjekës, si dhe tha se ftesave të gjykatës do t’i përgjigjet me rregull.
Deklaratën e avokatit Sedolli e mbështeti edhe klienti i tij.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Qemail Suka vendosi që në vend të masës paraburgimit për sigurimin e prezencës së të pandehurit Kicaj në zhvillimet e mëtutjeshme të procedurës penale gjatë së cilës kishte ndodhur edhe kanosja, t’ia caktoj masën e arrestit shtëpiak.
Sipas gjyqtarit, masa e arrestit shtëpiak paraqitet si masë më e domosdoshme për të siguruar prezencën e të pandehurit dhe zhvillimin e procesit normal të kësaj procedure penale, pasi që masat e tjera më të buta në këtë fazë janë të pamjaftueshme.
Ndryshe, gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 21 shkurt në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, në çështjen penale ku i akuzuar është Agron Kicaj, ky i fundit dyshohet se e ka kanosur drejtpërdrejtë dëshmitarin e ftuar për atë rast, Elami Kabashi, duke iu drejtuar me fjalët “do të shihemi pastaj pasi të dalim jashtë, një fishek kushton 20 cent”. /Betimipërdrejtësi