23-11-2024

Arrestim për “fajde” në Suharekë

Njësia rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe Korrupsion (NJRHKEK) në Prizren, ka arrestuar të dyshuarin me inicialet  R.B. (lindur 1952) për shkak të dyshimit të veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, ka filluar hetimet dhe mbledhjen e provave për rastin, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Sipas njoftimit, sot është zbatuar urdhëresa e gjykatës, ku në prezence të personit të dyshuar dhe mbrojtësit të tij, në një fshat të Suharekës, është kontrolluar personi, shtëpia dhe automjeti i tij.

“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dëshmi relevante të kryerjes së veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, dëshmi të cilat do të përdorën në procedura të mëtejme gjyqësore”, thuhet në njoftimin e Zyrës për media të Policisë në Prizren.

Tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar edhe: një (1) pushkë automatike AK-47, dy (2) karikatorë të pushkës automatike, pesëdhjetë e tre (53) copë fishekë kalibri 7.62 mm dhe një (1) pushkë gjuetie me gjashtë (6) fishekë.

Me aktvendim të prokurorit të rastit, i dyshuari  ndalohen për 48 orë në mbajtje. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.