12-12-2024

Me polici, familja Agallari kthen 80 ari tokë në Prizren, që e shfrytëzonte familja Krasniqi

Asaf Agallari nga lagjja “Bajram Curri” e Prizrenit, që nga viti 1950, së bashku me vëllanë dhe dy motrat, janë pronarë të kësaj parcele prej rreth 80 ari.

Agallari, që nga paslufta, ka dashur ta shesë pronën e tij, por ka hasur në rezistencë nga familja e Ridvan Krasniqit, të cilës tokën ia kishte dhënë në shfrytëzim.

Ai thotë se është pronar legjitim me vëllanë e motrat, derisa për ta vërtetuar këtë, posedon edhe dokumentet përkatëse.

Edhe motra e tij, bashkëpronare, thotë se pronën e kanë trashëguar nga babai, por që kanë pasur probleme të shumta me, siç thotë ajo, uzurpatorin e pronës.
Shfrytëzuesit e pronës e kanë rrethuar vendin, derisa për t’i ndalur punimet që kishin nisur, u deshën forca të shumta policore.

Lirimi i hapësirës prej rreth 80 ari, me vendim të Gjykatës Themelore të Prizrenit, po bëhej në prani të një përmbaruesi privat.

Ani pse të enjten shfrytëzuesit e kanë respektuar vendimin e Gjykatës Themelore, kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga vendi, që pretendojnë se është i tyre.

Ata pretendojnë se tokën e kanë blerë nga familja Agallari në vitin 1958, por që këtë nuk mund ta dëshmojnë përmes dokumenteve, pasi që ato u janë djegur gjatë luftës.

Madje, për ta zgjidhur këtë problematikë, familja Krasniqi i pati ofruar familjes Agallari rreth 50 mijë euro, vetëm që të tërhiqen nga kjo pronë, derisa kjo e fundit thotë se askush nuk do të ofronte para për pronën e tyre legjitime.

Asnjë koment

Comments are closed.