Arrestime për terrorizëm në Prizren

Në Prizren e Skenderaj arrestohen tre persona të dyshuar për terrorizëm

Tre persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet për terrorizëm

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar sot në Prizren dhe Skenderaj nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale.

“Sot, me datën 29 qershor 2018, pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Agjencionin Kosovar për Inteligjencë dhe në vazhdimësi të operacionit të datës 05/06/2018, Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale të Kosovës,  ka ndërmarrë një operacion policor në dy rajone të Kosovës (Prizren dhe Skenderaj) për zbatimin e urdhër kontrolleve të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

“Gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në Drejtorinë Kundër Terrorizmit tre (3) persona të dyshuar: R. K., A. A. dhe L. M., nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, që ndërlidhen me terrorizëm”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Me tej në njoftim bëhet e ditur se ky operacion policor është zhvilluar në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me autoritetet gjermane, të cilat njëkohësisht kanë zbatuar urdhërarrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj të dyshuarit B. B..

Sipas njoftimit të Policisë gjatë këtij operacioni në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një armë automatike AK 47, tre karikatorë të armës AK 47 me 40 fishekë, një pushkë ajrore, një revole colt, një palë dylbi, një veturë me targa të huaja,  si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat janë përdorur për kryerjen e veprës penale dhe të cilat do të analizohen në vijim.

Me urdhër të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve./kallxo.com/