Arrestohet në Kosovë i kërkuari nga SPAK-u i Shqipërisë
Një nga të kërkuarit e autoriteteve të Shqipërisë, Arben Lamçja, është arrestuar në Kosovë pas një bashkëpunimi midis njësiteve elitare “FAST Kosova” dhe “FAST Shqipëria” në kuadër të operacionit policor “Gordonët”. Lamçja ishte shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK).
Policia e Shtetit, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën pasdite, përveç njoftimit për arrestimin e të dyshuarit, ka thënë se ai dyshohet për veprat penale “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje… në formën e organizatës kriminale”, “grupi i strukturuar kriminal”, “organizata kriminale” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Lamçja u shpall në kërkim në kuadër të megaoperacionit të autoriteteve shqiptare “Plumbi i Artë 2” nga viti i kaluar. Ai dyshohet se ka qenë vrasës me pagesë për një grup kriminal të Elbasanit, shkruan Albanian Post. SPAK-u gjithashtu ka zhvilluar një aksion të gjerë ditë më parë, ku ka goditur një grup të strukturuar kriminal, i cili dyshohet se operonte në trafikun ndërkombëtar të armëve.
Ndryshe, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se njësiti “FAST” në mbeshtetje edhe të njësive speciale policore ka zhvilluar “një operacion” të shtunën në Prishtinë, por nuk janë dhënë detaje të hollësishme për rastin.
Lexo edhe: