14-12-2024

Arrestohet një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor për marrje ryshfeti

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë identifikuar një rast korrupsioni ku të dyshuar ishin një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se menjëherë pas dyshimit se zyrtarët në koordinim merrnin pagesa të jashtë ligjshme u njoftua Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe njësitë relevante të Doganës të cilët në koordinim realizuan arrestimin e një zyrtari doganor dhe një zyrtari policor për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme.

“Të dy zyrtarët u ndaluan nën dyshimin se kishin bashkëpunuar për marrje të parave nga drejtues të kamionëve për të lehtësuar kalimet nëpër Pikën Kufitare Hani i Elezit. Dy të arrestuarit do të përballen me procedurat ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtëve me aktvendim të prokurorit u është caktuar Masa e ndalimit për 48 orë”.

“Ky aksion është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit doganor dhe policor të Kosovës”, thuhet në njoftim. /KK

Asnjë koment

Comments are closed.