25-11-2024

Arrestohet shoferi i autobusit nga Kosova, i gjendet drogë në specat e kosovarëve

Kjo sasi e drogës, ishte fshehur brenda thasëve të specave. Policia hungareze, arreston shoferin e autobusit nga Kosova.

Janë tregjet e vendit, ku rëndom qytetarët, furnizohen për stinën e vjeshtës.

E këtë kohë, shumë thasë me speca blihen edhe nga mërgimtarët që vijnë për pushime në Kosovë.

Pasi që përgatiten për turshi dhe nuk mund të gjenden shpesh në tregjet jashtë, ata i marrin me vete në vendet ku jetojnë.

Por, disa nga specat që u blenë, nuk u përdoren për këtë qëllim.

Gjatë një kontrolli në pikën kufitare në Roszken, policia hungareze, hasi në disa thasë me speca, në bagazhin e një autobusi me targa nga Kosova.

Siç shihet edhe në këto video të publikuara nga mediat hungareze, gjatë kontrollit, policia hungareze zbuloi se në ato thasë nuk kishte vetëm speca.

Brenda tyre, ishin fshehur hiç me pak se 23 kg marihuanë .

E vlera e kësaj sasie të drogës, sipas autoriteteve hungareze, është rreth 150 mijë euro.

E për këtë nën pranga, ka përfunduar shoferi 53 vjeçar i autobusit nga Kosova, nën dyshimin për trafikim të drogës.

Ndërkohë, pa turshi këtë vit, kanë mbetur edhe shumë mërgimtarë të tjerë.

Kjo pasi, autoritetet hungareze, në kufirin Serbi – Hungari, shumë prej tyre, produktet bujqësore, ua ka ndalur në kufi. /GazetaExpress

Asnjë koment

Comments are closed.