20-04-2024

Gjykata dhe përmbaruesit ia marrin afro 2.9 milionë euro Komunës së Prizrenit

Një shumë e madhe e parave apo afro 2.9 milion euro i janë marrë Komunës së Prizrenit me vendim të gjykatave, por edhe të përmbarueseve privatë në dy vitet e fundit. Kjo formë e pagesave nga Auditori Kombëtar është përmendur si dobësi e qeverisjes lokale në Prizren, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Gjatë vitit 2018 dhe 2019, Komuna e Prizrenit është përballur me një varg lëndësh të cilat kanë përfunduar nëpërmjet përmbaruesve privatë. Pagesa e mjeteve për obligimet e pashlyera ndaj kompanive,  pastaj pagesa e mjeteve financiare për punëtorët e arsimit për shujtën, por edhe çështje të tjera,  të ekzekutuar përmes gjykatës i kanë kushtuar goxha shumë buxhetit të Prizrenit, ndërkohë që Komuna ka shpenzuar qindra e mijëra euro si taksë përmbarimore, që bashkë me shpenzimet tjera shkon deri në 20 për qind të mjeteve.

Shuma më e lartë apo 1,961,347 euro është paguar në vitin 2018, ndërsa vitin e kaluar janë paguar 908,537.00 euro.

Lexo edhe:

Prizreni ndër komunat e fundit në vend për performancën për taksat dhe tarifat (dok)

Drejtoresha komunale për Ekonomi e Financa, Leonora Çerreti ka konfirmuar për portalin Gazeta e Prizrenit se mjetet janë paguar nga dy pozicione buxhetore, përkatësisht Mallra dhe shërbime e Investime kapitale.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ndryshe, gjetjet në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Prizrenit për vitin 2019 të ZKA-së, publikuar ditë më parë,  ndër dobësitë e qeverisjes komunale të Prizrenit përmendin edhe pagesat e tilla. “Edhe niveli i lartë i pagesave të  thesarit përmes vendimeve gjyqësore/përmbarimore ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve shtesë për këto pagesa”, thuhet në konkluzionet e Raportit të Audimit.

Për forma të tilla të pagesave, ndërkaq kanë reaguar edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe partive opozitare në Prizren, duke kritikuar pushtetin për keqqeverisje. /GazetaePrizrenit.net/

Lexo edhe:

Edhe babai i kryetarit të Prizrenit- Daver Haskuka privatizon në vlerë prej 71 mijë eurosh

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.