Mustafa flet për raportet me Vjosa Osmanin: Nuk po merremi me të, s’është rasti i parë i largimit nga LDK

I pari i LDK’së Isa Mustafa ka folur për mundësinë e formimit të një liste apo partie të re nga ana e Vjosa Osmanit, ish-kandidate e LDK’së për kryeministre.

“Ajo dëshiron që të themelojë listën ose parti. Është çështje e vlerësimeve të saj. Në qoftë se i ka vlerësimet e mira, të bazuara mund të ketë sukses”, thotë Mustafa.

Thotë se mes tyre nuk ka hatërmbetje dhe se largimi i Osmanit nga kjo parti nuk do të shënonte rastin e parë për partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Lexo edhe:

Gjykata dhe përmbaruesit ia marrin afro 2.9 milionë euro Komunës së Prizrenit

 

“Jo s’kemi (hatërmbetje) sepse nuk guxojmë të kultivojmë marrëdhënie të hatërmbetjes. Në politikë kur hyn njeri hyn me një bindje politike dhe atë bindje që e ka zonja Osmani mund ta çojë më tutje kështu që nuk shohim asgjë të keqe në këtë aspekt’, tha Mustafa për RTK’në.

Por pse Osmani po e braktisë LDK’në?

“S’jemi marrë me ato analiza sepse nuk e konsiderojmë nevojë të merremi me to. Në politikë ndodhin ndarje. Në LDK s’është rasti i parë”, shtoi ai.

“S’po merremi me të fare. Nëse ka sukses i dëshiroj sukses”, përfundoi Mustafa.