Arrihet marrëveshja në Këshillin Europian, ndalohet eksporti i naftës ruse në BE
Kur gjatë mbrëmjes së djeshme presidenti hungarez Victor Orban vijonte me kërkesat e tij, duke mos i dhënë “dritën jeshile” rezolutës së Këshillit Europian mbi embargon ndaj naftës ruse, u mendua se gjithçka mund të kthehej në një dështim që do të kishte pasoja dhe do të evidentonte një përçarje domethënëse brenda Bashkimit Europian.
Por “gjuha e përbashkët” u gjet pak minuta para mesnatës, duke i dhënë një peshë të rëndësishme dhe ndoshta vendimtare paketës së gjashtë të sanksioneve ndaj Kremlinit, si pasojë e sulmit rus ndaj Ukrainës.
Sipas presidentit të Këshillit Europian, belgut Charles Michel, “kemi arritur marrëveshjen për të ndaluar eksportin e naftës ruse në Bashkimin Europian. Ky ndalim përfaqëson 2/3 të importeve të naftës nga Rusia, diçka që i shkurton dukshëm burimet e financimit të luftës. Duhet presion maksimal ndaj Rusisë në mënyrë që lufta të përfundojë”, deklaroi ai në Twitter.
Vendimi shënon një tjetër përgjigje të fortë dhe unitare të Bashkimit Europian ndaj Kremlinit, edhe pse pozicionet brenda vendeve anëtare kanë qenë të ndryshme./ IO