24-11-2024

Arsimi është tkurrur, bie me 3.7% numri i nxënësve dhe studentëve në Shqipëri

Arsimi në Shqipëri po vijon të tkurret me ritme të shpejta, ku vetëm gjatë vitit të fundit akademik 2023-2024, ka rënë me 3.7% numri i studentëve.

Në bazë të një publikimi të dhënash zyrtare nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, u regjistruan në arsimin zyrtar 533 mijë e 711 nxënës dhe studentë gjatë këtij viti shkollor e akademik, me një ulje prej 3,7%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23.

Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin parauniversitar (deri të mesëm të lartë) 416 mijë e 538 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 3,8%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23.

Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 66 mijë e 711 fëmijë, 4,4% më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 258 mijë e 72 nxënës, 54,7% në arsimin fillor dhe 45,3% në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2022-23, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 3,4% më pak nxënës.

Në vitin shkollor 2023-24, 88,7% e nxënësve të arsimit 9-vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 11,3% në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9-vjeçar, vajzat përbëjnë 47,9% të totalit.

Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin e mesëm të lartë 91 mijë e 755 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në vitin 2023-24, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82,1%.

Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit. Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (85,0%).

Në vitin shkollor 2023-24, numri i mësuesve në arsimin 9-vjeçar është 24 mijë e 109, ndër të cilët 78,0% janë gra.

Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 15,1 dhe në atë privat është 15,2. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9-vjeçar, raporti nxënës për një mësues në arsimin publik është 7,9 dhe në atë privat 8,0. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm të lartë është 8 mijë e 307 prej të cilëve 69,6% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm të lartë është 11,5 në arsimin publik dhe 9,1 në atë privat.

Në vitin akademik 2023-24 ndërkohë, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 116 mijë e 994 studentë, duke shënuar një ulje prej 3,6% krahasuar me 2022-23.

Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 72,3% të numrit total të studentëve. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2023-24, marrin pjesë 68 mijë e 305 studente femra, ose 58,4% e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë.

Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 67.283 studentë duke shënuar një ulje prej 5,5% krahasuar me 2022-23. /Albanianpost.com

Asnjë koment

Comments are closed.