26-04-2024

Asnjë i akuzuar për djegien e Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 23 vjet më parë

Përderisa rajoni i Prizrenit po përjetonte terror nga forcat serbe, të cilat ishin egërsuar edhe më shumë pas fillimit të intervenimit ushtarak nga NATO ndaj forcave të Millosheviqit, mbrëmjen e 27 marsit 1999, kriminelët serbë dogjën Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke kryer aktin e qëllimshëm e makabër ndaj trashëgimisë sonë, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Kjo është bërë jo vetëm për të shkaktuar frikë tek popullata, që këtë akt e përjetoi si djegie të një pjese shpirtërore, por edhe me qëllim të zhdukjes së dokumentacionit historik në të cilën ruhet kujtesa e popullit shqiptar. Më këtë rast u dogjën 188 dokumente me vlera historike, përfshirë gjësende personale dhe eksponate tredimensionale, të ekspozuara deri në muze natën kritike.

LSHP është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ajo ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, pas kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Ky objekt, që është emblemë e shqiptarisë, ndërsa Prizreni e ka të faktuar në logon e Komunës, prej vitesh ishte halë në sy për regjimin serb,  që kulminacionin e arriti me djegien e Muzeut e më pas fshirjen e gjurmëve, duke e pastruar vendin, të cilin e kthyen në vend të mbjellë me lule.

 

Sipas Adnan Beqirit, që ka jetuar në afërsi të Kompleksit të LSHP-së, një natë para djegies, në Muze ishte hedhur një bombë, ndërsa pas tri ditësh filloi humbja e gjurmëve, duke e hedhur dokumentacionin në lumin përballë, si dhe duke larguar bustet e patriotëve kombëtarë, Abdyl Frashëri e Ymer Prizreni.

Dëshmitari Hasim Biba, tregon se pasi kishte dëgjuar zhurmën kishte dalë nga shtëpia ndërsa, pa flakën që kishte marrë objekti dhe ka dëgjuar zëra në gjuhën serbe, të cilët janë munduar që fajin t’ia hedhin avionëve të NATO-s.

Përgjegjësi i LSHP-së, historiani Parim Kosova lidhur me djegien e muzeut ka shkruar se, më 27 mars 1999, pak para orës 21:00, kriminelët serbë me dy predha tromblloni e kanë goditur katin përdhes të Muzeut. “Shpirti i madh i kulturës dhe i historisë sonë kombëtare po i bënte sfidë terrorit barbar serb”.

Sipas tij, kriminelët u rikthyen edhe një herë te Kompleksi, ndërsa brenda objektit u dëgjuan dy eksplodime të njëpasnjëshme, kurse i treti ishte edhe më i fuqishëm. Muzeu së bashku me eksponatet kishte filluar të digjej.

Banorët e kësaj lagjeje edhe sot i përkujtojnë me dhembje të madhe ato momente rrëqethëse. “…Nuk u dogj vetëm një pjesë e historisë, por edhe një pjesë e shpirtit tonë… Me këtë akt u provua të zhduken dokumentet dhe eksponatet e selisë së Shtetit të parë shqiptar të kohës moderne”, thanë disa prej tyre.

Ish-sekretari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Prizren, Bashkim Gashi duke kujtuar momentet se si e kishte përjetuar aktin e djegies thotë: “Kur e pashë të djegur Shtëpinë e Lidhjes, mendova se serbët kanë vendosur të zhdukin çdo gjë shqiptare. Ndjeva dhembje për eksponatet e djegura, të cilat nuk mund të zëvendësohen, dhe se ky është një ndër krimet më të rënda ndaj trashëgimisë sonë historike”.

Ai thotë se pasi ka marrë disa informata nga fqinjët ka përpiluar raportin lidhur për këtë akt të tmerrshëm.

Kadri Kryeziu, ish-kryetar i Komunës së Prizrenit pas çlirimit, kujton se në mbledhjen e Këshillit Komunal, u mor vendimi për rindërtimin e Shtëpisë së LSHP-së, që u finalizua në një afat rekord.

Më 28 nëntor 1999, u bë inaugurimi i Shtëpisë së rindërtuar, ku në ceremoni mori pjesë një numër i madh i personaliteteve politike, kulturore dhe qytetarëve nga mbarë trojet shqiptare, që kremtuan 28 Nëntorin e parë në Kosovën, tashmë të lirë. Në mesin e personaliteteve pjesëmarrëse ishte edhe Joseph DioGuardi, përfaqësues i lobit të shqiptarëve në SHBA.

Rindërtimi i Muzeut të LSHP-së u bë nga donacionet e afaristëve,  për çka Kryeziu flet me admirim. “Isha jashtëzakonisht i nderuar që arrita për një kohë të shkurtër ta rindërtojë këtë monument kulturo-historik”, shprehet ai.

Duke pasur parasysh vlerën e madhe historike dhe kombëtare të Kompleksit të LSHP-së, pas angazhimit të menjëhershëm dhe hartimit të projekteve, u meremetua Galeria e Arteve Figurative, njëkohësisht   me sukses u bë edhe rikonstruksioni i Muzeut.

Për nder të 122 vjetorit të LSHP-së, më 10 qershor 2000, u bë edhe rihapja e Muzeut Historik.

Përgjegjësi i Kompleksit, P. Kosova në korrik të vitit 2002, në Zyrën e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi në Prishtinë, bëri padinë për djegien e Lidhjes së Prizrenit, por që deri tash nuk është marrë parasysh. Kallëzimi penal është bërë ndaj 11 personave, që dogjën dhe shkatërruan monumentin më të çmuar të shqiptarëve. Pos argumenteve tjera, Zyrës në fjalë i është dorëzuar edhe një kasetë e videos, në të cilën është xhiruar largimi i gërmadhave të Muzeut me ekskavator, më 30 mars 1999.

“Në rastin e paraqitjes së padisë për gjenocid ndaj Serbisë, duhet të jetë edhe ky kallëzim penal, ndërsa pjesë e shumë dëshmive janë edhe fotot e atyre pjesëtarëve të formacioneve serbe që kryen aktin kriminal”, shprehet Kosova.

Ndërkaq, Muzeu i LSHP-së ka ushtruar Kallëzim Penal në prokurorinë e Qarkut në Prizren, kundër Zoran Gariçit, ish-drejtorit të dhunshëm të Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore në Prizren.

Në 18-vjetorin e djegies, në Kompleksin Monumental ishte hapur ekspozita e autorit Parim Kosova, ku nëpërmjet fotografive tregohej djegia e tij nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë.

Projekti pasqyronte Muzeun Historik të LSHP-së, eksponatet e djegura, si dhe shkatërrimin e shtatoreve, të vendosura në oborrin e LSHP-së.

Në vitin 2018, në vargun e aktiviteteve, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare, në kontekstin e shënimit të 28 Nëntorit, sipas projektit të Qeverisë së Kosovës në hapësirën e Kompleksit u rivendosen shtatoret e tre liderëve historikë, Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit.

Open photo

Pos udhëheqësve më të lartë shtetëror nga Kosova e Shqipëria, në ceremoninë e organizuar morën pjesë dhe homologët e tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Për fat të keq, sot e kësaj dite askush nga kriminelët e “mesjetës moderne” nuk është dënuar për aktin e djegies së rezidencës së Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, pra Muzeut të Lidhjes. ( Marrë nga libri “Ngjarjet e lavdisë” të autorit prizrenas, Qazim Morina ).

Asnjë koment

Comments are closed.