“Autostrada e Dukagjinit”: Rahovecasit formojnë Këshill që kundërshton projektin
Në Rahovec mbrëmë është mbajtur një tubim me qytetarët të cilët po e kundërshtojnë projektin e “Autostradës së Dukagjinit” që prek edhe komunën e tyre, transmeton Koha.net.
Sipas tyre, me variantin të cilin e ka prezantuar Ministria e Infrastrukturës, variantin 6, po dëmtohet lumi Drini dhe do të anashkalohet kjo komunë, pasi që autostrada do të ishte larg 14 kilometra nga qyteti i Rahovecit.
Në këtë tubim, ku morën pjesë një numër i madh i qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve të kësaj komune, janë prezantuar disa opsione të trasesë së autostradës dhe është formuar një Këshill i përbashkët i cili do të përfaqësojë interesat e qytetarëve të pakënaqur, raporton Rahoveci24. Po ashtu, në takim janë shpjeguar edhe arsyet se pse varianti “1” i autostradës është më i dobishëm për Rahovecin.
Nga ky takim, është marrë vendimi që Këshilli fillimisht të takohet me kryetarin e Komunës, Smajl Latifin, dhe më pas të zhvillohet një takim edhe me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.
Në rast se kërkesat nuk plotësohen, atëherë qytetarët e Rahovecit paralajmërojnë protestë.
Autostrada e Dukagjinit pritet të fillojë të ndërtohet këtë vit dhe lidh qytetin e Istogut, Pejën, Deçanin, Gjakovën, Rahovecin dhe Prizrenin./GazetaePrizrenit.net