Avdyli me kritika ndaj Kurtit: “Koha e argëtimit elektoral po merr fund”
Deputeti Haxhi Avdyli ka reaguar me një status kritik ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe mënyrës së fushatës së Vetëvendosjes.
Avdyli ka ironizuar disa nga batutat e përdorura në tubime, duke përmendur deklarata si “Makiato 51%, tash po e bëjmë Makiato 60%”, “Rroga vogël, fitimi madh” dhe deklarata të tjera që, sipas tij, po përsëriten prej vitesh.
“Albin ti je enciklopedi, banu pak ma kreativ. Mos i përsërit 6 vite të njëjtat fore, se njerëzit po e shohin që veç 5-6 batuta i ke krejt”, ka shkruar ai.

Tutje, Avdyli ka kërkuar që të flitet më shumë për projekte konkrete dhe rezultate në infrastrukturë, ekonomi, shëndetësi e zhvillim.
Ai përmendi autostradat, fabrikat, sigurimet shëndetësore, stadiumin kombëtar, teatrot, banesat për çiftet e reja dhe projekte të tjera, duke ironizuar se shumica prej tyre nuk janë realizuar.

Në fund të reagimit, Avdyli shkruan se “koha e argëtimit elektoral po merr fund” dhe se qytetarët tashmë po kërkojnë rezultate konkrete e jo vetëm spektakël politik.

