21-05-2026

Njëri prej të arrestuarve të Bankës nga Prizreni – dyshohet se futën qytetaren në kredi fiktive prej 25 mijë eurosh

Dy zyrtarë të Ziraat Bank janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe përfshirje në një skemë të dyshuar financiare, ku një qytetare nga Prizreni pretendon se është futur në kredi pa dijeninë e saj, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Ural Zymberin, menaxher i degës së Ziraat Bank në Prizren dhe Kastriot Kabashin, analist i bankës në Prishtinë.

Sipas hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, rasti lidhet me transferimin e 24 mijë eurove nga llogaria e të dëmtuarës R.L. në drejtim të dy bizneseve, përmes dy transaksioneve nga 12 mijë euro secili.

Hetuesit dyshojnë se menaxheri i bankës kishte urdhëruar verbalisht realizimin e transaksioneve, ndërsa analisti bankar kishte ekzekutuar transferet, ndonëse sipas rregulloreve bankare shpërndarja e shumave mbi 10 mijë euro nuk lejohet pa faturë ose kontratë shitblerjeje.

Sipas dosjes hetimore, pas këtyre veprimeve kredia në emër të qytetares ishte dërguar në procedurë përmbarimore, ndërsa më pas ajo ishte kallëzuar penalisht nga vetë banka, edhe pse, sipas hetimeve, nuk ekziston provë që ajo kishte realizuar ndonjë transaksion apo kishte përfituar nga kredia prej 25 mijë eurosh.

Prokuroria dyshon se veprimet e dy zyrtarëve e kanë futur të dëmtuarën në obligime financiare dhe procedura përmbarimore pa dijeninë e saj. /GS

Lexo edhe:

Arrestohen dy persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh në rastin “Pronat në Prizren”

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrjedhën financiare të shumës prej 25 mijë eurosh dhe përgjegjësinë eventuale të personave të përfshirë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:

Hasjanët: Nga bullizmi dhe paragjykimet në krenari – si po shndërrohen në një komunitet ndër më të rëndësishmit në Kosovë e diasporë

Asnjë koment

Comments are closed.