27-11-2024

Babai me djem lëvron tokën e huaj në Prizren në pikë të mëngjesit, godet pronarin me veturë dhe ikin

Pas dy dekadash pas luftës në Kosovë, ende vazhdon të jetë problem uzurpimi i pronave. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në rrugën “Liman Shala” në Prizren. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë Themelore atje kanë dhënë detaje për këtë rast, që ndodhi në pikë të mëngjesit.

Sipas këtyre burimeve, rastin e denoncoi në Polici pronari i një toke, i cili rrëfeu hallin që e ka me disa persona, babë e djem, të cilët kanë hyrë ne pronën e tij në 06:00 të mëngjesit dhe kishin filluar ta lëvronin.

Viktima ka deklaruar se me këtë familje kanë qenë në kontest pronësor para një kohe, por ai e kishte fituar rastin, pasi Gjykata kishte vendosur në favor të tij. Por ky vendim, siç duke u shpërfill nga të dyshuarit, të cilët sot ia mësynë kësaj toke.

Përveç që e lëvruan, i dyshuari kryesor e goditi me qëllim viktimën me veturë dhe më pas bashkë me djemtë ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Megjithëkëtë, ata s’e shijuan lirinë gjatë, pasi Policia arriti t’i arrestojë.

Ata u shoqëruan në stacion policor, ku u intervistuan dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit u dërguan në mbajtje për 48 orë për veprat penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Asnjë koment

Comments are closed.