Ky është i dyshuari që u kap me mbi 100 gramë koka*inë në kufirin e Vërmicës
Arbian Elezaj, rreth 31-vjeçar, shtetas shqiptar, është personi që përfundoi në prangat e Policisë së Kosovës pasi gjatë kontrollit kufitar në Vërmicë iu gjet një sasi e konsiderueshme e substancës narkotike të dyshuar si kokainë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Elezaj u ndalua për kontroll të detajuar teksa po hynte në Kosovë me një veturë Mercedes me targa shqiptare.

Pas testimit nga njësitë e antidrogës në Prizren, substanca rezultoi të ishte kokainë, me peshë prej 104 gramë e 83 miligramë.

Përveç narkotikëve, Policia ka sekuestruar edhe një telefon iPhone 17 Pro Max, ndërsa vetura është kontrolluar dhe skanuar pa u gjetur prova të tjera të kundërligjshme.
Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar destinimin dhe prejardhjen e drogës së sekuestruar.


Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
