Baldedaj kritikon PDK-në për heshtjen ndaj pushtetit në Prizren
Shefi i grupit të kuvendarëve të AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj, ka kritikuar edhe një pjesë të opozitës, përkatësisht PDK-në që përbën partinë më të madhe opozitare në këtë komune, duke vlerësuar se subjekti më i madh politik heshti gjatë gjithë vitit 2018 dhe, sipas tij kjo lejoi që ky vit të jetë i humbur për Prizrenin, ndërsa kjo i ka konvenuar pushtetit të bëjë “masakër” e ta numëroj si sukses.
Mbetet të shihet nëse PDK do të përgjigjet ndaj kritikave të Baldedajt, me të cilin këtë verë ndër tjera bashkërisht kanë nënshkruar dy kërkesa për mbajtjen e mbledhjeve të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, asaj për mosmbajtjen e festivalit tradicional të “Zambakut të Prizrenit” dhe seancës kushtuar gjendjes në arsim.
Postimi i plotë i Baldedajt:
“A u shndërrua në vitin 2018 PDK-ja në patericë të pushtetit dhe VV-së në Prizren.
Po ik viti 2018 e Dega e PDK-së në Prizren nuk u zgjua dot nga goditja që mori me humbjen e qytetit të Prizrenit.
Ndonëse e kanë numrin më të madh të kuvendarëve në Prizren, PDK-ja u soll në mënyrë të tillë në vitin 2018 thua se nuk ekziston fare.
Heshtja kaq e gjatë e PDK-së nuk është vetëm pasojë e goditjes që mori nga qytetarët e Prizrenit.
Shtrohet pyetja çfarë fshihet prapa kësaj heshtjeje.
Bashkëpunimi me pushtetin në degradim të qytetit, apo pjesëmarrje indirekte në këtë degradim.
Duke mos e ngritur zërin për asnjë keqpërdorim të pushtetit aktual PDK-ja si opozita më e madhe në Prizren lejoi në heshtje që viti 2018 të jetë vit u humbur në Prizren.
Pushteti aktual ia anuloi projektet kapitale të Ramadan Mujës, PDK-ja heshti. Edhe atë transparencë që e instaloi Ramadan Muja, Mytaher Haskuka e “mbyti” e PDK-ja heshti.
Heshti PDK-ja edhe kur u kall Ura e Gurit, edhe kur u kthye përmbys Skënderbeu.
Edhe kur u lejua ndërtimi i një objekti degradues në qendër heshti PDK-ja. Heshti PDK-ja athua pse. Athua përse po hesht PDK-ja, opozita më e madhe në Prizren.
Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjet PDK-ja. Aty ku nuk ka opozitë pushteti bënë “masakër” dhe ia adreson vetes si sukses”, shkroi Baldedaj.