21-05-2024

​Ligji për shërbimin civil njeh pezullimin e vendit të punës, por MASHT nuk respekton atë

Erdhi nga Prizreni në Prishtinë për t’ia rifilluar punën si drejtor i Institutit Pedagogjik të Kosovës.

Por, Nezir Çoçaj nuk arriti as këtë të  mërkurë të nis punën që dikur e kishte pezulluar me t’u zgjedhur anëtar i Kuvendit të Kosovës.

Ish-deputeti i PDK-së, që dha dorëheqje nga ky institucion në shtator të këtij viti, ka një arsye pse nuk po arrin të kthehet në vendin e punës.

Pasi mori një përgjigje negative nga MASHT, Çoçaj iu drejtua Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, që ia njohu të drejtën e kthimit si drejtor në Institutin Pedagogjik të Kosovës.

Por as përgjigja pozitive e Këshillit nuk kreu punë, pasi Ministria e Arsimit nuk po e respekton këtë vendim ndonëse obligohej ta bënte një gjë të tillë brenda 15 ditëve.

Keshilli me anë të një email ka konfirmuar për T7 se Çoçajt po i shkelen te drejtat nga MASHT me mos lejimin e kthimit në vendin e punës.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka të drejtë të shpall konkurs për këtë pozitë, por është e obliguar që të bëjë zbatimin e vendimit për t’a kthyer ankuesin Nezir Çoçaj në pozitën “Drejtor i Institutit Pedagogjik të Kosovës”, brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi.”

Këtë të mërkurë bëhen 16 ditë që kur KPMShC nxorri këtë vendim që obligon Ministrinë të kthej në pozitë Çoçajn.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ndërkaq Ministria e Arsimit nuk ka dashur te prononcohet për këtë çështje, megjithëse T7 ka dërguar pyetjet në adresë të këshilltarëve të Ministrit Shyqri Bytyqi.

Por, emisioni Frontal ka arritur të sigurojë email që shefja e kabinetit të Ministrit Shyqri Bytyqi, Vlorë Tosuni, i ka dërguar në shtator Këshillit Drejtues të Institutit Pedagogjik.

“Ministri Bytyqi kërkon nga Këshilli Drejtues i Institutit Pedagogjik të Kosovës që të marrë të gjitha masat e duhura dhe të shpallë konkursin për drejtor të IPK-së brenda kësaj jave.”

Nezir Çoçaj thotë se veprimet e ministrit Bytyqi është një hakmarrje ndaj tij.

Ish-deputeti i Kuvendit te Kosoves, ka konfirmuar per T7 se do të ushtrojë ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për vendimin e Ministrisë së Arsimit.

Asnjë koment

Comments are closed.