Ballkani humb nga Malisheva, ja çfarë thonë trajnerët Thaqi dhe Daja
Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi pas ndeshjes, është shprehur i kënaqur me fitoren dhe paraqitjen e skuadrës së tij.
Thaqi është i bindur se skuadra e tij nëse vazhdon me paraqitjen sikurse sot në duel me Ballkanin, nuk do ta ketë problem ta sigurojë mbijetesën.
“Për ne ka qenë finale në veti, i përgëzoj lojtarët e mi për angazhimin dhe disiplinën taktike ndaj Ballkanit. Për ne është me rëndësi të mos gabojmë kundër një kundërshtari direkt, nëse luajmë si sot nuk kam dilema në fitore, pastaj në ndeshje fundit të fitojmë ndaj Dukagjinit dhe të qëndrojmë në Superligën e Kosovës”, ka thënë Thaqi.
Daja: Na pret Evropa pas dy muajsh dhe nuk duhet ulur ritmi
Ndërkaq, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja tha se skuadra e tij ishte e entuziazmuar me titullin e kampionit. Ballkani për herë të parë në historinë e tyre, ka prekur titullin e kamionit.
Daja thotë se skuadra e tij çdo ndeshje duhet të vlerësojë në maksimum pasi që pas dy muajve, Ballkani do të luajë në Evropë.
“Gjatë gjithë kampionatit kemi pësuar 7 gola, sot kemi marrë 3 gola, ka një arsyetim, sepse pasi siguruam titullin, nuk ishte roli i duhur. Personalisht doja që ndeshjet që kemi t’i vlerësojmë në maksimum, na pret Evropa pas dy muajsh dhe nuk duhet ulur ritmi”, tha Daja.
“Malisheva ka bërë detyrën e vet, sot ishim më shumë në feste, sesa në fushë. Kjo është arsyeja pse ekipi kishte një fytyrë tjetër”, përfundoi ai.
Kujtojmë se skuadra nga Suhareka, do të përfaqësojë Kosovën në Ligën e Kampionëve. / RTKlive.com /