Klubi futbollistik “Ballkani” ka demantuar si të pavërteta disa spekulime për gjoja angazhimin e ndonjë lojtari serb si përforcim, ndërsa njofton se deri tani ka transferuar shtatë futbollistë, duke përforcuar të gjitha repartet, dhe plotësuar kërkesat e shtabit teknik, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Klubi ka njoftuar se në vazhdën e përforcimeve dhe komponimit të skuadrës, gjatë afatit kalimtar të janarit, ka bërë disa ndryshime në ekip, për të cilat ka njoftuar edhe në faqen zyrtare të klubit.
“Sa i përket disa trumbetimeve të orkestruara nga persona të caktuar, se kinse kemi transferuar futbollistë serbë, kjo NUK është e vërtetë. Siç e dini që të gjitha klubet sportive në Kosovë, qoftë në futboll, basketboll, etj, në mesin e tyre kanë lojtarë nga Bosnja, Mali i zi, Maqedonia… dhe ne jemi njëri ndër këto klube”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Më tej sqarohet se “sa i përket lojtarëve që tani kemi transferuar asnjëri nuk është serb, dhe sipas kësaj logjike të disave, i bie që edhe futbollisti i kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti të jetë serb, vetëm se vie nga viset e Luginës së Preshevës, apo cili do futbollist që ka lindur në viset shqiptare që dihet se padrejtësisht aktualisht janë nën administrimin e Serbisë”.
Skuadra tashmë ndodhet për Durrës ku për disa ditë do të jenë në përgatitje për sezonin e ri.
FC Ballkani, përveç se në Superligë është në mesin e tabelës, garon edhe për Kupën e Republikës së Kosovës. /GazetaePrizrenit.net/