Ballkani rikthehet në ‘territorin’ e tij, sfidon Hamrun-in në Conference League
Pas një eliminimi surprizues nga raundi i parë i UEFA Champions League 2024-25, Ballkani është rikthyer në kompeticionin që njeh më mirë Conference League. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja do të luajë ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues përballë Hamrun Spartans.
Stadiumi “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, duke filluar nga ora 18:00 do të presë duelin mes Ballkanit vendas dhe Hamrun-it mik.
Hamrun është skuadra kampione e Maltës, e cila ashtu si Ballkani u eliminua nga raundi i parë i Champions League. Ajo u mund nga skuadra Lincoln Red Imps e Gjibraltarit (1-0/0-1, 5-4 pen.).
Skuadra nga Malta njihet edhe për skandalin e trukimit të ndeshjeve (ne vitin 2013), për shkak të të cilit UEFA do i përjashtonte nga garat e saj për një sezon më 9 qershor 2021.
Vlera e ekipit të Hamrun-it sipas “Transfermarkt” shkon në 3.27 milionë euro, dukshëm më e ulët se 5.87 milionë euro e Ballkanit, shkruan Albanian Post.
Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit të eliminimit nga Champions League, Ballkani rikthehet në një terren mjaft të njohur. Conference League është kompeticioni në të cilin Ballkani ka qenë pjesë e fazës së grupeve për dy vite radhazi dhe synon tani herën e tretë.
Dy skuadrat vijnë në takimin e sotëm pas tre fitoreve, një humbjeje dhe nje barazimi në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
Walter Altmann nga Austria do të jetë gjyqtari kryesor i takimit të sotëm. Ai do të ndihmohet nga bashkëkombasit e tij, Andreas Witschnigg dhe Mattias Hartl. Florian Jager do të jetë gjyqtari i katërt.
Altmann, e ka filluar karrierën e arbitrimit në vitin 2004 dhe nga viti 2017 drejton në Bundesliga-n austriake. Ndërsa, nga viti 2020 ai është gjyqtar me stemën e FIFA-s.
Përveç Ballkanit, në Conference League janë edhe gjashtë skuadra të tjera shqiptare. Të mërkurën Struga përballet me Pyunik dhe Dinamo Batumi pret Deçiqin e Tuzit. Ndërsa të enjten vijnë përballjet Iberia – Partizani, Brondby – Llapi, Vikingur – Egnatia dhe Breidablik – Drita./AP
/Albanianpost.com