23-04-2024

Banorët dhe opozita se duan pushimoren në Nashec të Prizrenit për karantinë

Këto objekte që vite më parë shfrytëzoheshin si pushimore të fëmijëve, tani, në rast nevoje, do të shërbejnë si karantinë për personat që po bëjnë vazhdimisht kërkesë të kthehen në Kosovë.

Secili kosovar që hyn në vend është i obliguar të qëndrojë 14 ditë në karantinë, aq sa zgjat periudha e inkubacionit për COVID-19, raporton KOHA.

Objekti që është përgatitur tashmë nga Komuna e Prizrenit gjendet në fshatin Nashec.

Të gjitha investimet kanë qenë nga buxheti i Komunës, e vlera e tyre shkon deri në rreth 10 mijë euro.

E, bashkëpunim ka ofruar edhe Policia e Kosovës.

Por, komuniteti i fshatit Nashec ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur shqetësimin se Komuna deri tani nuk ka bërë aty asnjë investim, e tash po i rrezikon banorët duke e kthyer objektin në karantinë.

“Qytetarët janë shumë të revoltuar me këtë vendim dhe do bëjnë të pamundurën që pushimorja të mos shfrytëzohet për karantinë”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, sipas Nismës Socialdemokrate në Prizren, Komuna është dashur të marrë pëlqim nga banorët por, gjithashtu, sipas kësaj partie, vendi nuk i plotëson kushtet për karantinë sepse janë disa shtretër në një dhomë dhe banjat janë të përbashkëta.

Asnjë koment

Comments are closed.