Bashkë me Autostradën e Dukagjinit, Lekaj premton në Rahovec edhe sanimin e shtratit të Drinit
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, të hënën mori pjesë në debatin publik me qytetarët e Rahovecit për autostradën e Dukagjinit.
Ministri Lekaj u premtoi qytetarëve të Rahovecit se sugjerimet e tyre do të merren parasysh dhe se ato që janë të arsyeshme do të inkorporohen në projektin final.
I pari i Infrastrukturës dhe Transportit u tha qytetarëve se ky projekt është i qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës dhe si i tillë ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e vendit me korridoret pan-evropiane.
Ai pos tjerash u premtoi qytetarëve se krahas këtij projekti, do të rregullohet edhe shtrati i Drinit të Bardhë dhe maksimalisht do të kursehet toka bujqësore, e që për rahovecianët ka rëndësi shumë të madhe, thuhet në njoftimin për media të kësaj ministrie.
Ndërsa qytetarët duke vënë në pah rëndësinë e këtij projekti të munguar nga qeverisjet e kaluara, me anë të sugjerimeve të tyre dhanë kontributin e tyre për projektin e autostradës së Dukagjinit.