20-04-2024

Prizren: Mbi 400 persona të diagnostifikuar me kancer vitin e kaluar

Mbi 400 persona janë diagnostifikuar me kancer vitin që shkoi në Prizren, ndërsa,  gjatë këtij viti Komuna e Prizrenit do të ofrojë edhe një shërbim me pajisjen Tumormarkera, i cili nuk është ofruar më parë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”

Me rastin e 4 shkurtit, Ditës Botërore të Kancerit, Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me OJQ-në “Environment and Community Development (ECD)” sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren kanë organizuar një ligjëratë informuese dhe sensibilizuese për këtë sëmundje.

Në njoftim, thuhet se QKMF e Prizrenit është e përgatitur dhe jep shërbime shëndetësore që kjo sëmundje e rrezikshme të diagnostifikohet me kohë, si PAP testi, vizita gjinekologjike, ultrazë të gjinjve, mamografi, analiza laboratorike, të cilat nuk i bën asnjë institucion tjetër publik në Kosovë.

“Gjatë vitit 2018 Komuna e Prizrenit ka nisur fushatën e Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës, në kuadër të së cilit janë vizituar 522 raste, prej të cilëve 420 janë diagnostifikuar, ndërkaq po në këtë vit janë subvencionuar 249 pacientë, 98 për qind prej tyre me sëmundje të kancerit”, thuhet në njoftim.

Duke e ditur se zbulimi në fazat e hershme është esenciale në shërimin e kësaj sëmundjeje, gjatë vitit 2019 Komuna e Prizrenit ka premtuar  se do të ofrojë edhe një shërbim me pajisjen Tumormarkera, i cili nuk është ofruar më parë, si dhe do të vazhdojë t’i subvencionojë personat e prekur nga kjo sëmundje. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.