13-12-2024

Bashota: Në Shtabin Qendror komunikatat janë shkruar nga jashtë, me këto merrej Xheladin Gashi dhe Nait Hasani

Sokol Bashota tha sot në Hagë se nuk ka njohuri për disa komunikata që janë shkruar nga UÇK-ja pasi, sipas tij, në kohën e Shtabit Qendror përpara se të fillonte lufta, komunikatat janë shkruar nga jashtë.

Sipas tij, me këtë çështje është marrë më tepër Xheladin Gashi dhe Nait Hasani për të cilët Bashota ka thënë se ishin pjesë e Shtabit Qendror kur u organizuan aksionet e para të UÇK-së, raporton BetimipërDrejtësi.

“Në kohën e Shtabit Qendror është thënë që komunikatat janë shkruar nga jashtë dhe me to është marrë me tepër dhe për këtë çështje është marrë më tepër Xheladin Gsshi dhe Nait Hasani”, tha Bashota.

Këtë deklaratë Bashota e dha kur u  prezantua komunikata 29 ku thuhej se ishte kryer aksion kundër rektorit të Universitetit Serb në Prishtinë, armikut të përbetuar të shqiptarëve, Radivoja Popoviq ku ishte plagosur edhe shoferi i tij Nikolla Laliq.

Dëshmitari tha se për herë të parë po e sheh këto komunikatë kur u pyet se a është në dijeni nëse Shtabi e kishte tërhequr këtë deklaratë.

Sokol Bashota tha se nuk ka pasur Shërbim Informativ që nga viti 1993 dhe gjatë kohës sa ka qenë ai në Shtabin Qendror.

Më pas, në sallën e gjyqit u diskutua lidhur me disa dokumente për të cilat thuhet se ishin ardhur nga MUP-i serb e që mbrojtja i kundërshtoi që të pranoheshin në prova. Megjithatë, atyre iu dha një numër provizor dhe që vendimi për to pritet të merret në seancën e së hënës me 2 dhjetor 2024.

Pasi përfundoi kjo çështje, prokurori u kthye me pyetje tek dëshmitari lidhur me një takim të Shtabit të Përgjithshëm në Negrovc të mbajtur me 1998-ën.

“Nuk mund ta quaj mbledhje e Shtabit të Përgjithshëm por një takim ka ekzistu”, tha dëshmitari duke shtuar se në këtë takim ishte ai, lahi Brahimaj, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.

Dëshmitari tha se ky takim ishte mbajtur në kohën kur kishin filluar qytetarët që të mobilizoheshin me armë e që ishin kyçur edhe vullnetarisht në luftë.

Sipas tij, në të njëjtën kohë ishin lansuar edhe propaganda të ndryshime kundër qëllimit të UÇK-së. Si rrjedhojë, ai tha se në atë takim u diskutua që të dilet me zë dhe të flitet për qëllimin e UÇK-së kështu duke e përcaktuar Jakup Krasniqin si zëdhënës të saj.

Bashota tha se në këtë takim janë diskutuar edhe për emërime të tjera por të cilat kanë mbetur vetëm në letër me arsyetimin se në atë kohë ka pasur grupe të vogla të ushtrisë të cilat nuk kanë mundur të ofrojnë pozicione.

Ai gjithashtu tha se nuk e dinë nëse drejtoritë në Shtabin e Përgjithshëm se kur janë krijuar por shtoi se kjo ka ndodhur pas takimit në Negrovc.

“Nuk e di saktë, por më vonë”, tha dëshmitari Sokol Bashota.

Veç kësaj, dëshmitari u pyet se a është i njohur me terminologjinë e NATO-s që përdorte fraza si “G1, G2 etj” për sektorët.

“Bislim Zyrapi është marrë kryesisht me strukturimin e UÇK-së dhe po janë vendos këto G1, G2, G3…”, tha ai duke shtuar se Zyrapi kishte mbërritur në Kosovë pak pas takimit në Nergroc.

Me kaq përfundoi seanca e sotme gjatë të cilës prokurori Halling njoftoi se i duhet kohë edhe për seancën e parë të 2 dhjetorit për t’i përfunduar pyetjet e veta për këtë dëshmitar.

Bashota: Kadri Veseli ishte udhëheqës i SHIK-ut, nuk e di nëse mblidhte informata

(Përditësuar, ora 16:47) – Dëshmitari Sokol Bashota ka thënë në Hagë se Kadri Vesel ka qenë udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) gjatë kohës së strukturimit të UÇK-së.

Megjithatë, ai tha se nuk e din nëse Kadri Veseli e ka kryer detyrën e mbledhjes së informatave për persona me interes.

“Edhe sot e asaj dite nuk e kam të kjartë se cilat janë detyrat e Shërbimit Informativ, cilat janë detyrat e shërbimit për zbulim, detyrat e shërbimit inteligjent apo ato për kundërzbulim. Realisht është një fushë që nuk më ka interesu  kurrë dhe nuk i njoh punët dhe rrethanat e këtyre shërbimeve. Nuk e di nëse këto janë të  ngjashme apo kanë detyra specifike. Për këtë që me pyete më herët, nuk e di nëse z. Kadri Veseli e ka kryer këtë punë. Me duket që pyetja ishte a ka mbledhë shënime në terren”, tha Bashota.

Prokurori i tha dëshmitarit që ai e përmendi Kadri Veselin por që në pyetjen e tij nuk ishte përmendur i akuzuari.

“Gjatë strukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë udhëheqës i Shërbimit Informativ”, tha Bashota kur u pyet se pse e përmendi Veselin në këtë rast.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një deklaratë tjetër e vetë atij në 2006-ën ku kishte folur për shpërndarjen e oficereve të FARK-ut në UÇK.

“Ju jeni përgjigjur; në përgjithësi shkoi mirë. Pati kritika për Zonën e Dukagjinit sepse atje ishte Tahir Zemaj dhe në bazë të informacionit të Shërbimit të Zbulimit që kishim ne në UÇK ishim informuar që më përpara ky person ishte marrë me drogë dhe ishte dënuar në të shkuarën për këtë”, citoi prokurori.

Dëshmitari tha se gjatë dhënies së kësaj deklarate ka pasur probleme pikërisht me përkthimin ku sipas tij përkthyes ka qenë atëherë një shqipfolës dhe jo shqiptarë e që ka ngatërruar me ngatërrimin e termave.

Ai tha se sa i takon Tahir Zemajt dikush i ka thënë se nga Shërbimet e Zbulimit e ka kuptuar që ai është një njëri i tillë, por që nuk e din se kush ia ka thënë.

Prokurori i tha dëshmitarit se kjo intervistë e tij është e incizuar për TPNJ-në për çka kërkoi edhe nga sekretari i seancës që ta shfaqë në ekran. Por për këtë seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar.

Kur u hap seanca, dëshmitari u pyet se si e ka kuptuar termin kolaboracionist ose bashkëpunëtor dhe se ky term a i referohej dikujt që nuk i qëndronte besnik kauzës.

“Unë në atë intervistë e kam dhënë qëndrimin tim dhe jo të Shtabit të Përgjithshëm. Fjala kolaboracionist nuk është as shqip por vjen prej një fjale të huaj dhe ai ka qenë përkufizim i imi. Bashkëpunëtorët nuk besoj që janë ata që nuk iu kanë përgjigj kauzës por janë ata të cilët kanë luftuar me armë kundër kauzës dhe kundër përpjekjeve të shqiptarëve për liri. Ky ka qenë si përkufizim i imi”, tha Bashota.

Prokurori pyeti dëshmitarin se a ishte e domosdoshme që UÇK-ja të kërkonte dhe zbulonte bashkëpunëtorët që kishte në territorin e saj.

“Nuk besoj që ka qenë e domosdoshme por në atë kohë Serbia pati instaluar Policinë Lokale edhe brenda territoreve të UCK-së… të cilët kanë qenë shpeshherë të armatosur dhe me uniformë që i shërbente ushtrisë dhe policisë serbe. Pra, në shërbim të aparatit serb”, tha ai.

Ai tha se kolaboracionistët kanë mundur ta shkaktojnë dëmin më të madh se vetë serbët dhe ushtria e saj pasi këta të parët kanë mundur ta kryejnë aktivitetin e vetë si të kamufluar edhe brenda UÇK-së.

Dëshmitari gjithashtu u pyet se a mund të merrnin njësitet e UÇK-së masa për të vrarë tradhtarë dhe spiunë pasi një vendimi të marrë nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Me duhet me e sqaru edhe njëherë, nuk ka pas urdhër specifik dhe të veçantë të marrë nga Shtabi i Përgjithshëm për të varrë dikë. Por, ajo që është publiku për mes komunikatave publike, kështu e kam nxjerrë unë përkufizimin gjatë asaj interviste dhe të gjithë ata që janë përball me persona të armatosur të cilët në flagrancë ia kanë kthy pushkën një ushtari të UÇK-së e kanë pas urdhër që të rezistojnë dhe deri tek vrasja. Ne kemi pasur raste të tilla që bashkëluftëtarët tanë janë vra veç pse kanë kaluar afër shtëpisë së një polici lokal apo kolaboracionisti serb. Na janë plagos ushtarët vetëm pse kanë kalu afër shtëpisë së tij pa pasur ndonjë qëllim të caktuar për të.

Një rast i tillë dëshmitari e përmendi plagosjen e komandantit Mujë Krasniqi.

Por, prokuroi serish insistoi në pyetjen e tij ku si përgjigje nga dëshmitari u dha që komandantët e zonave e kanë pas të drejtën që të vendosin mbi këtë çështje personalisht. Ai përsëriti se s’ka pas urdhra të veçanta për raste të tilla nga Shtabi i Përgjithshëm.

Dëshmitari u ballafaqua me një deklaratë të tij që kishte dhënë më herët ku kishte thënë se kjo e drejtë iu jepte ushtareve përmes vendimit nga Shtabi i Përgjithshëm. Bashota serish përsëriti që iu është referu komunikatave publike.

Bashotës iu prezantua një komunikatë e UÇK-së që fliste për vendimet e marra nga Shtabi Qendror me 1996 dhe 97 që përshinë vrasjen e dy kolaboracionistëve.

Rasti i dytë, sipas komunikatës, ishte kundër Maliq Shehollit i cili ishte deputet i Partisë Socialiste Serbe dhe bashkëpunëtor i vjetër i UDB-së i cili mori pjesë edhe në varrimin e një krimineli serb i cili ishte ekzekutuar më 1996 ku kishte mbajtur edhe fjalim.

Dëshmitari  tha se është hera e parë që po e sheh këtë komunikatë e cila është lëshuar jashtë Kosovës duke shtuar se nuk i din as arsyet se pse është lëshuar.

Megjithatë, ai tha se një qytetar që ka marrë pjesë në një varim nuk është dashur që të konsiderohet si kolaboracionist dhe të merren masa ndaj tij.

Asnjë koment

Comments are closed.