Bastisje në Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Mbrëmë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren është bërë një bastisje pas një informacioni konfidencial nga Njësiti i Inteligjencës së SHKK-së.

Me të pranuar informacionin oficeret korrektues, në vazhdimësi të Planit Operativ për bastisje të qëllimta, bazuar në informatën konfidenciale të pranuar, prej orës 21:50 – 22:20 është bërë një bastisje e dhomës B1, në të cilën ishin të vendosur katër të paraburgosur.

Bastisja ka rezultuar pozitive, pasi në komodinën plastike në një pjesë të kamufluar janë gjetur dy telefona mobil të tipit Iphone 5 dhe një karikues.

Pas intervistimit të të paraburgosurve të kësaj dhome të njëjtit janë veçuar deri në hetimin e rastit, si dhe janë iniciuar procedura disiplinore ndaj tyre.