25-04-2024

Shaqir Totaj: Injorimi i Hasit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Nënkryetari i PDK-së, njëherësh kryetar i degës së kësaj partie në Prizren, Shaqir Totaj,  ka reaguar lidhur me vizitën e kryeministrit Kurti në Suharekë dhe Mamushë si dhe të kryetarit të Prizrenit, Haskuka në Anadrini,  duke thënë se përkundër që kanë qenë shumë afër,  ata kanë injoruar Hasin, duke mos vizituar edhe në këtë pjesë,  ku vërshimet kishin shkaktuar dëme të shumta në bujqësi, infrastrukturë dhe në ekonomitë familjare

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se është për të ardhur keq, se si Kryeministri nuk gjen kohë ta vizitojë një rajon të madh, për t’i ofruar përkrahjen e merituar institucionale.

Ky është postimi i plotë: 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka nuk kanë gjetur kohë ta vizitojnë edhe Hasin, pas motit me furtunë, që dy ditë më parë përfshiu edhe këtë rajon, duke shkaktuar dëme të shumta në bujqësi, infrastrukturë dhe në ekonomitë familjare.

Kurti dje ka qenë vetem në Suharekë dhe Mamushë e Haskuka në Anadrini, shumë afër Hasit, por nuk kanë e parë të arsyeshme të dalin andej Drinit, meqenëse tash nuk është fushatë zgjedhore. Hakuka nuk e ka parë të arsyeshme që nga Pirana, të vazhdojë për në fshatin përballë, në Krajk, Gjonaj, Bregdri e gjetiu ku ka dëme të shumta.
Është për të ardhur keq, se si Kryeministri nuk gjen kohë ta vizitojë një rajon të madh, për t’i ofruar përkrahjen e merituar institucionale. Kjo tregon qartë se Hasi nuk paraqet ndonjë interes për pushtetin aktual.

Pos, dëmeve të konsiderueshme nga moti, Kurti është dashur ta vizitojë e madje ta falënderoi Hasin edhe për një arsye të rëndësishme në kohën e pandemisë.

Në këtë rajon, deri tash nuk ka pasur asnjë rast me koronavirus.
Në fakt, gjatë tri viteve të fundit, kur pushtetin lokal e udhëheq Vetëvendosje, Hasi është injoruar vazhdimisht. Këtë më së miri e dëshmon gjendja e mjerueshme e rrugës rajonale Gjonaj-Kushnin, traseja e të cilës është deformuar tërësisht.

Pavarësisht kësaj, Hasi që njihet për zemërgjerësinë dhe bujarinë e vet, duke dhënë kontribut gjatë gjithës historisë, dhe që ia ka dalë edhe në rrethanat më të vështira do t’ia dalë edhe tash.
Të gjithë qytetarët dhe komunat duhet të trajtohen barabartë. Hasi andej e këndej kufirit, që pasur një rol të rëndësishëm dhe vatër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë dhe është shembull i qytetarisë punëtore, andaj pa ndonjë hezitim meriton përkrahje, si nga pushteti lokal ashtu edhe nga ai qendror.

Kjo qasje, tregon se Kurti e Haksuka shkojnë në Has, vetëm sa për të “shnuk” vota, të cilat ndonëse të pakta, deri tash i kanë marrë pa asnjë meritë, thuhet në shkrim. / GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.