21-11-2024

Gara për të parin e LDK-së në Prizren ngushtohet në mes Qunit dhe Selmanajt

Dr. Hatim Baxhaku nuk do të jetë pjesë e kandidaturës për kryetar të degës së LDK-së në Prizren, pasi është tërhequr nga gara, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor në të gjitha degët e partisë.

“Jam tërhequr thjesht për çështje personale dhe me ju dhënë hapësirë të rinjve.”, tha për portalin “GazetaePrizrenit.net”, ish-deputeti Baxhaku.

Ai ka qenë kandidat për kryetar komune, në zgjedhjet e fundit komunale, në vitin 2017, ndërsa u radhit i treti për nga numri i votave.

I pyetur nëse kjo nënkupton edhe tërheqje nga synimi për kandidim për kryetar të komunës, kirurgu prizrenas ka thënë se aktualisht është shumë herët të deklarohet, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Tashmë edhe deputeti dhe kryetari aktual i degës në Prizren, Haxhi Avdyli është tërhequr nga gara për kryetar dege.

Ndërkaq, deputetët Driton Selmanaj dhe Anton Quni kanë zyrtarizuar kandidaturën e tyre për të parin e Prizrenit.

Me gjasë, në këtë garë duket se nuk do të jenë vetëm ata, pasi kandidatë i mundshëm është edhe Fatmir Memaj, aktualisht drejtor për Urbanizëm./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.