09-12-2024

BE e quan ‘për keqardhje’ që Vetëvendosja përvetësoi me llogo të vet projektin 10 milionësh të financuar nga KE

Me Kurtin e Pecin duke prerë shirit, thuhej: “Nisin punimet në projektin për modernizim dhe përmirësim e sistemit të ujitjes në Radoniq-Dukagjin”

“Është për keqardhje…” – janë përgjigjur për këtë çështje nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, raporton Nacionale, transmeton Sinjali.

Ionna Lachana nga Zyra e BE-së e përmendi veprimin e Vetëvendosjes si shkelje të rregullave të BE-së dhe obligimeve që pasojnë nga Udhëzuesi.

Udhëzuesi thotë “Marrësit e fondeve të BE-së janë të obliguar të sigurohen që emblema e BE-së të jetë e dukshme në kontekstin e dhënë…duhet të demonstrojnë dhe shpjegojnë se si e sigurojnë lart qëndrimin e emblemës së BE-së (…)”.

(…)Nëse ka llogo tjera të shfaqura përveç asaj të BE-së, kjo e fundit duhet të jetë së paku e njëjtë në madhësi me atë më madhen ose llogot tjera”.

Në përgjigjen e tyre ata vërejnë se në postimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ky i fundit respektoi rregullin dhe obligimin.

Por, jo edhe Vetëvendosja, e cila, sipas tyre, dështoi t’i qëndrojë udhëzuesit, e kësisoj duke mos treguar “kontributin pozitiv” që BE bën “për popullin e Kosovës”.

Në përputhje me Udhëzuesin e BE-së për veprimet e jashtme, përfituesit e fondeve të BE-së u kërkohet të pranojnë origjinën e tij dhe të sigurojnë dukshmërinë e çdo financimi të marrë nga BE. Zyra e Kryeministrit i është përmbajtur këtij detyrimi në njoftimin për shtyp dhe postimin në Facebook”, thanë ata.

Megjithatë, është për keqardhje kur sheh se partia në pushtet Vetëvendosje ka lënë jashtë çdo përmendje të kontributit financiar të BE-së në postimin e saj në Facebook, duke mos përmendur kontributin pozitiv të BE-së për jetën e popullit të Kosovës”, shtoi Zyra e BE-së.

Në këtë përurim, BE tregon se kanë pasur edhe zyrtarin e vet.

Vetëvendosja, këtë e kishte bërë edhe më herët: përvetësimin e pronësisë së projektin dhe futjen e meritave nën sqetullën e vet.

Para një viti pati hequr afishet e BE-së në një thirrje për subvencione.

Asnjë koment

Comments are closed.